Izraeli thotë se ka vrarë tre të armatosur të dyshimtë palestinezë në Nablus - NACIONALE

Izraeli thotë se ka vrarë tre të armatosur të dyshimtë palestinezë në Nablus

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite ka thënë se ka qëlluar për vdekje tre të armatosur të dyshimtë palestinezë në pjesën veriore të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Forcat izraelite thanë se hapën zjarr të martën në drejtim të militantëve palestinezë, të cilët kishin shkrehur drejt tyre nga një veturë në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor. Në lagjen kodrinore, al-Tur, pak pas të shtënave, forcat izraelite kontrolluan një veturë të goditur me plumba, raporton gazeta “The Guardian”.

Mediat palestineze e përshkruan vrasjen e të armatosurve si pritë pas përpjekjes së militantëve për t’i sulmuar forcat izraelite afër një vendbanimi të hebrenjve, nga i cili shihet Nablusi. Ushtria izraelite tha se konfiskoi tri pushkë të tipit M-16 dhe pajisje të tjera nga ajo veturë.

Duke i ngritur tensionet, koalicioni ultranacionalist i kryeministrit Benjamin Netanyahu i ka refuzuar bisedimet me udhëheqësit palestinezë, duke synuar që t’i zgjerojë vendbanimet e hebrenjve në Bregun Perëndimor dhe duke shtyrë kundërpërgjigje më agresive ndaj sulmeve të militantëve palestinezë.

Të hënën vonë, militantët palestinezë thanë se hapën zjarr në drejtim të një autobusi me të cilin po udhëtonin ardhës izraelitë afër qytezës palestineze, Hawara, në jug të Nablusit, pa shkaktuar pasoja në njerëz. Ushtria izraelite tha se do të ndërtonte pika kontrolli për t’i kërkuar të dyshuarit. Një grup i vogël i armatosur, që e quan veten “Brigada e Agimit”, e mori përgjegjësinë për këtë sulm.

Deri më tani këtë vit, më shumë se 150 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor. Ky është numri më i madh i të vrarëve qe më shumë se një dekadë. Gati gjysma e tyre ishin të lidhur me grupe militantësh dhe u vranë në luftime gjatë bastisjeve ushtarake të Izraelit, por në mesin e të vrarëve ka edhe të rinj që hidhnin gurë si protestë ndaj bastisjeve si dhe kalimtarë të rastit.

Në anën tjetër, nga sulmet palestineze, në shënjestër të të cilave ishin izraelitët, janë vrarë të paktën 25 persona deri më tani këtë vit.

Lajme të ngjashme