Izraeli thotë se ka vrarë dhjetëra luftëtarë të Hamasit; shkon në gati 200 numri i viktimave në kamp - NACIONALE

Izraeli thotë se ka vrarë dhjetëra luftëtarë të Hamasit; shkon në gati 200 numri i viktimave në kamp

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite pretendon se ka vrarë dhjetëra pjesëtarë të Hamasit gjatë sulmeve të natës së kaluar, ndërsa ky grup ka thënë se numri i viktimave nga dy sulmet në një kamp refugjatësh në Gazë ka shkuar në 195.

Forcat ajrore izraelite lëshuan një deklaratë, në të cilën thuhet se luftëtarët dhe forcat me mjete të blinduara të Forcave Mbrojtëse të Izraelit u sulmuan me armë kundërtanke dhe granata gjatë operacioneve të zhvilluara natën, raporton gazeta “The Guardian”.

“Forcat u përfshinë në beteja të zgjatura me terroristët, të asistuara nga zjarri i brigadës nga artileria e tanket, përderisa drejtuan një aeroplan për të sulmuar nga ajri dhe drejtuan një anije me raketa për të sulmuar nga deti. Në fund të luftimeve, dhjetëra terroristë u vranë”- thuhet në deklaratë.

Në anën tjetër, një zyrë mediale e menaxhuar nga Hamasi ka thënë se të paktën 195 njerëz janë vrarë nga dy valët e sulmeve ajrore në kampin e refugjatëve në Jabalia të Gazës të martën dhe të mërkurën.

Sipas deklaratës së kësaj zyre, rreth 120 persona të tjerë ende janë të zhdukur nën rrënoja, ndërsa të paktën 777 kanë pësuar lëndime.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se e vunë në shënjestër dhe e vranë gjatë sulmeve të së mërkurës Muhammad A’sar-in, komandant i grupit të Hamasit për raketa kundërtanke me vetëdrejtim.

Ushtria izraelite kishte thënë se e kishte vënë në shënjestër këtë kamp të martën për ta vrarë Ibrahim Biari-n – komandant kyç i Hamasit, i lidhur me sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit. Sipas ushtrisë izraelite, ky person dhe luftëtarët e tij kishin marrë nën kontroll ndërtesa civile në qytetin e Gazës.

Të mërkurën, Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së tha se sulmi ajror i Izraelit ndaj kampit të refugjatëve në Jabalia të martën mund të përbëjë krim lufte.

Lajme të ngjashme