Izraeli thotë se ka progres për armëpushim në Liban dhe Rusia mund të ndihmojë - NACIONALE

Izraeli thotë se ka progres për armëpushim në Liban dhe Rusia mund të ndihmojë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli tha të hënën se ka përparim në bisedimet për armëpushim në Liban dhe dha shenjë se Rusia mund të luajë rol duke e ndalur riarmatosjen e Hezbollahut përmes Sirisë, edhe pse grupi i përkrahur nga Irani tha se nuk kishte pranuar akoma ndonjë propozim për armëpushim.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, tha se sfida kryesore do të jetë zbatimi i çfarëdo marrëveshjeje armëpushimi dhe se Izraeli ishte duke punuar me Shtetet e Bashkuara rreth përpjekjeve diplomatike, raporton agjencia “Reuters”.

“Mendoj se është një progres i caktuar. Ne jemi duke punuar me amerikanët për çështjen” – tha kryediplomati izraelit në një konferencë për gazetarë në Jerusalem.

“Ne do të jemi të gatshëm për të qenë aty, nëse ne dimë në rend të parë që Hezbollahu nuk është në kufirin tonë, që është në veri të lumit Litani dhe që Hezbollahu nuk do të jetë në gjendje që të armatoset përsëri me sisteme të reja armësh” – shtoi ai.

Lumi Litani rrjedh nëpër pjesën jugore të Libanit, rreth 30 kilometra në veri të kufirit mes Libanit dhe Izraelit.

Në Bejrut, një zyrtar i Hezbollahut dha shenjë se po ndodhte intensifikimi i përpjekjeve diplomatike, por tha se as grupi, as shteti libanez nuk kishin pranuar ndonjë propozim të ri.

“Është një lëvizje e madhe mes Uashingtonit, Moskës dhe Teheranit dhe një numri të kryeqyteteve” – tha Mohammad Afif në një konferencë për gazetarë, që u transmetua në televizion.

“Unë besoj që ende jemi në fazën e testimit të ujërave dhe paraqitjes së ideve fillestare dhe diskutimeve proaktive, por deri më tani nuk ka ende asgjë ekzistuese” – shtoi ai.

Gazeta izraelite “Hayom” raportoi të dielën se ishte shënuar progres i konsiderueshëm në bisedimet diplomatike për një armëpushim të propozuar në Liban, me të cilin Hezbollahut do t’i kërkohej tërheqja në veri të lumit Litani, duke e ndaluar praninë ushtarake të grupit afër kufirit izraelit, ndërsa forcat izraelite do të ktheheshin në kufirin ndërkombëtar.

Gazeta më e shitur izraelite, “Yedioth Ahronoth”, raportoi të hënën se Izraeli dhe Libani kanë shkëmbyer drafte përmes emisarit amerikan, Amos Hochstein, duke sinjalizuar progres në përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimtare./Nacionale

Lajme të ngjashme