Izraeli thotë se e ka vrarë komandantin e Hamasit në Jenin, Wissam Hazem
Ushtria izraelite ka thënë se e ka vrarë kreun e Hamasit në qytetin Jenin dhe dy luftëtarë të tjerë, përderisa një operacion i gjerë po vazhdon për ditën e tretë në pjesën veriore të Bregut të pushtuar Perëndimor.
Forcat izraelite të sigurisë “u ndeshën dhe e eliminuan” Wissam Hazem-in në një automjet, pastaj kryen sulme ajrore ndaj “dy terroristëve të tjerë, përderisa ata po mundoheshin të iknin”, thuhet në një deklaratë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se tre burrat ishin vrarë gjatë natës afër qytezës Zababdeh, në juglindje të Jeninit, raporton televizioni BBC.
Mediat palestineze gjithashtu raportuan se forcat izraelite ishin tërhequr nga qyteti Tulkarm, pasi kishin shkaktuar dëme të mëdha ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës në kampet e refugjatëve atje.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite, e cila të enjten tha se kishte vrarë pesë anëtarë të grupeve të armatosura në Tulkarm, përfshirë udhëheqësin e tyre lokal.
Megjithatë, ushtria njoftoi se forcat ishin tërhequr nga kampi i refugjatëve “al-Faraa”, pasi e kishin përfunduar atë që e quajti “objektiv për ta parandaluar terrorin, për ta shpërfaqur infrastrukturën terroriste dhe për të eliminuar terroristë të armatosur”.
Të paktën 19 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i operacionit izraelit, që është njëri nga më të mëdhenjtë në Bregun Perëndimor në dy dekadat e fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Britania e Madhe tha të premten se ishte “thellësisht e shqetësuar nga metodat që Izraeli i ka zbatuar dhe nga raportimet për pasoja në civilë dhe shkatërrim të infrastrukturës civile”.
“Rreziku për jostabilitet është serioz dhe nevoja për de-eskalim [është] urgjente” – tha një zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar./Nacionale