Izraeli thotë se e ka siguruar kufirin me Gazën dhe se goditi mbi 200 caqe gjatë natës - NACIONALE

Izraeli thotë se e ka siguruar kufirin me Gazën dhe se goditi mbi 200 caqe gjatë natës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite ka thënë se e ka rimarrë kontrollin e kufirit me Gazën, ndërsa palestinezët që po largohen nga kjo enklavë janë këshilluar që të shkojnë në Egjipt.

Zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Daniel Hagari, tha se kishte pasur hyrje në kufi gjatë ditës së kaluar, raporton televizioni BBC.

Ai shtoi se inxhinierët ishin duke i minuar zonat ku disa pjesë të rrethojës kufitare ishin shkatërruar.

Militantët e Hamasit e kishin prishur rrethojën dhe kishin depërtuar në shumë pjesë të kufirit para fillimit të sulmit të shtunën.

Ushtria izraelite i ka këshilluar palestinezët që largohen nga Gaza për të shkuar në Egjipt.

“Jam i vetëdijshëm se pikëkalimi Rafah është ende i hapur. Kushdo që mund të dalë, do t’i këshilloja të dilnin”- tha koloneli Richard Hecht.

Ndërkohë, forcat ajrore izraelite kanë publikuar një përditësim të të dhënave, duke thënë se gjatë natës goditën 200 caqe të Hamasit dhe të grupeve të tjera militante në Gaza.

Gazeta “The Times of Israel” raporton se oficerët ushtarakë janë duke u përgatitur për të informuar 100 familje se të dashurit e tyre janë marrë peng nga Hamasi dhe se ata janë duke u mbajtur në Gaza.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se tashmë e ka filluar dërgimin e ndihmave ushtarake në Izrael, përderisa Pentagoni po i analizon rezervat për të parë se çfarë tjetër mund të dërgohet shpejt për ta përkrahur aleatin në luftë kundër Hamasit.

Ndërkohë një anëtar i lartë i Hamasit ka thënë se ky grup është i gatshëm për të zhvilluar një luftë të gjatë me Izraelin dhe do t’i përdorë dhjetëra pengje që po mbahen në Gaza për ta siguruar lirimin e palestinezëve të ndaluar në Izrael dhe në vende të tjera.

Duke folur për agjencinë “Associated Press”, Ali Barakeh, anëtar i udhëheqësisë së Hamasit në ekzil, në Bejrut, tha se Hamasi ka arsenal raketash që do të zgjatë për një kohë të gjatë.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën 15 persona u vranë nga një sulm izraelit në kampin e refugjatëve me popullsi të dendur, “Jabalia”, në veri të Rripit të Gazës.

Ministria e Jashtme e Tajlandës ka thënë se në mesin e të vrarëve nga Hamasi gjatë sulmeve në Izrael janë edhe 18 shtetas tajlandezë. Më parë ishte raportuar për 12 tajlandezë të vrarë.

Lajme të ngjashme