Izraeli thotë se e ka ndarë Gazën në dy pjesë
Trupat izraelite e kanë ndarë Rripin e Gazës në dy pjesë dhe i kanë vazhduar bombardimet e pareshtura të dielën mbrëma, tha zëdhënësi i Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Daniel Hagari.
Hagari tha se trupat izraelite arritën në vijën bregdetare duke e ndarë enklavën në “Gazën veriore dhe në Gazën jugore”.
Qyteti i Gazës, më i madhi në këtë territor, është tani plotësisht i rrethuar, shtoi ai.
“Ne do të vazhdojmë ta lejojmë një korridor në mënyrë që banorët e Gazës veriore dhe Qytetit të Gazës të zhvendosen drejt jugut. Ky është korridor njëdrejtimësh drejt jugut”, theksoi ai.
Ndërkohë, ka raportime se shërbimet telefonike dhe të internetit janë ndërprerë përsëri në Gazë.
Kryqi i Kuq Palestinez tha se “kjo është hera e tretë” që ndërpriten këto shërbime në Gazë prej fillimit të luftës dhe se e ka humbur kontaktin me ekipet e veta si pasojë. /REL