Izraeli tha se Spanja duhet të pranojë palestinezë të Gazës, reagon Madridi
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, të enjten e kundërshtoi sugjerimin e ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Israel Katz, se Spanja duhet të pranojë palestinezë të zhvendosur nga Gaza.
“Toka e banorëve të Gazës është Gaza dhe Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez” – tha kryediplomati spanjoll në një intervistë me radion RNE në Spanjë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Mediat izraelite raportuan se Katzi e urdhëroi ushtrinë të enjten që të përgatisë një plan për ta lejuar “largimin vullnetar” të banorëve nga Rripi i Gazës.
Ky udhëzim vjen pas njoftimit shokues të presidentit amerikan, Donald Trump, se Shtetet e Bashkuara planifikojnë që ta marrin përsipër Rripin e Gazës, t’i zhvendosin palestinezët që kanë qenë duke jetuar aty dhe ta shndërrojnë enklavën në “Rivierën e Lindjes së Mesme”
Sipas ministrit izraelit, Spanja, Irlanda e Norvegjia, të cilat vitin e kaluar njohën një shtet të pavarur palestinez, “janë ligjërisht të obliguara për ta lejuar secilin banor të Gazës që të hyjë në territoret e tyre.
“Shtetet si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe të tjerat, të cilat kanë ngritur akuza dhe pretendime të rreme kundër Izraelit për veprimet e tij në Gaza, janë ligjërisht të obliguara për ta lejuar secilin banor të Gazës për të hyrë në territoret e tyre” – tha ai.