Izraeli synon të qëndrojë me trupa në Liban përtej afatit të së dielës për tërheqje - NACIONALE

Izraeli synon të qëndrojë me trupa në Liban përtej afatit të së dielës për tërheqje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria izraelite po synon që t’i mbajë pozicionet ushtarake në jug të Libanit edhe pas afatit të së dielës për tërheqje, që ishte vendosur në marrëveshjen e nëntorit për armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut, tha ambasadori izraelit në ShBA.

Trupat izraelite u futën në jug të Libanit më 1 tetor – kulmi I një lufte të nivelit të ulët njëvjeçare me Hezbollahun, i cili e sulmoi territorin e kontrolluar nga Izraeli më 8 tetor, 2023, në solidaritet me Hamasin, raporton televizioni CNN.

Qeveria izraelite i ka thënë administratës amerikane të presidentit Donald Trump se dëshiron që trupat izraelite të mbeten në Liban për të paktën edhe 30 ditë shtesë, i tha televizionit CNN një zyrtar izraelit. Kabineti izraelit i sigurisë u mblodh të enjten në mbrëmje për ta diskutuar këtë çështje.

Është e paqartë nëse administrata e Trumpit i është përgjigjur kërkesës ose nëse ia ka përcjellë atë Qeverisë së Libanit. Emisari i ish-presidentit Joe Biden kishte ndërmjetësuar në marrëveshjen mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup libanez që mbështetet nga Irani.

Në një deklaratë, një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së u duk sikur la të kuptohej se afati i tërheqjes së trupave izraelite mund të jetë i ndryshueshëm.

Michael Herzog, ambasador i Izraelit në Uashington, i tha Radios së Ushtrisë në Izrael të enjten se afati 60-ditor për tërheqje, siç përcaktohet në paktin e armëpushimit, “nuk është i shkruar në gur”.

“Ne tani për tani jemi në diskutime me administratën e Trumpit me qëllim që ta zgjasim periudhën e kohës që nevojitet për ushtrinë libaneze që ajo të dislokohet dhe t’i përmbushë detyrat e saj sipas marrëveshjes” – tha ai.

“Ekziston një mirëkuptim në administratën në ardhje për atë se cilat janë nevojat tona të sigurisë dhe cili është pozicioni ynë, dhe besoj se do të arrijmë një mirëkuptim edhe për këtë çështje” – shtoi ambasadori izraelit./Nacionale

Lajme të ngjashme