Izraeli sulmon Iranin: Krejt çka duhet të dini deri tash
Izraeli ka ndërmarrë disa sulme ajrore kundër Iranit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmi "ka goditur në zemër të programit të pasurimit bërthamor të Iranit" dhe se do të "vazhdojë për aq ditë sa të jetë e nevojshme".
Çka dihet deri tani?
-Pak pas orës 04:00 me orën lokale në Iran, u raportuan shpërthime në kryeqytetin Teheran.
-Menjëherë pas kësaj, Ministri izraelit i Mbrojtjes konfirmoi sulmet ndaj Iranit dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Izrael, duke thënë se priten kundërsulme "në të ardhmen e afërt.
-Një zyrtar i ushtrisë izraelite konfirmoi disa sulme “kundër programit bërthamor të Iranit dhe objektivave të tjerë ushtarakë” dhe tha për BBC-në se Irani ka material bërthamor të mjaftueshëm për të krijuar bomba bërthamore “brenda pak ditësh”.
-Të gjitha fluturimet në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Teheranit janë pezulluar, ndërsa fluturimet për në Tel Aviv janë devijuar, sipas FlightRadar24.
-SHBA ka thënë se nuk është përfshirë në sulmet dhe se prioriteti i saj kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon.
-Televizioni shtetëror iranian raportoi se sulmet goditën zona të banuara dhe mes viktimave kishte edhe fëmijë.
-Një burim i sigurisë izraelite tha se ka gjasa që shkencëtarë të lartë bërthamorë iranianë të jenë vrarë.
-Televizioni shtetëror iranian raportoi gjithashtu se selia e Gardës Revolucionare në Teheran është goditur.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio tha se ShBA-ja nuk është e përfshirë në sulmet:
“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulmet kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave amerikane në rajon. Izraeli na informoi se beson që kjo ndërhyrje ishte e nevojshme për vetëmbrojtje. Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Ta bëj të qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat apo personelin amerikan.”
Lideri i Gardës Revolucionare është vrarë, raportojnë mediat shtetërore iraniane
Sipas mediave shtetërore iraniane, kreu i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, është vrarë në një sulm izraelit.
Ai është mes disa udhëheqësve të lartë që kanë humbur jetën gjatë këtij sulmi.
Po ashtu, Fereydoon Abbasi, ish-kreu i Organizatës për Energji Atomike të Iranit, është vrarë, sipas raportimeve të mediave shtetërore.
Siç raportuam më herët, një zyrtar izraelit tha se sulmet kishin në shënjestër "programin bërthamor të Iranit dhe objektiva të tjerë ushtarakë".
Netanyahu: Sulmet kishin në shënjestër 'zemrën' e programit të armëve të Iranit
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmi i Izraelit "ka goditur në zemër të programit të pasurimit bërthamor të Iranit".
Izraeli ka goditur objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në qytetin Natanz të Iranit, rreth 225 km në jug të kryeqytetit Teheran, tha Netanyahu.
Në prill të vitit 2021, Irani kishte fajësuar Izraelin për një sulm kibernetik ndaj të njëjtit objekt.
Ai shtoi se Izraeli kishte shënjestruar shkencëtarët iranianë "që po punonin për bombën iraniane".
Sulmet "do të vazhdojnë për aq ditë sa të jetë e nevojshme", përfundoi Netanyahu.
Australia ‘e alarmuar’ nga përshkallëzimi, thotë ministrja e Jashtme
Duke folur në një konferencë për shtyp menjëherë pas lajmit për sulmet e Izraelit, Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se vendi i saj është "i alarmuar nga përshkallëzimi mes Izraelit dhe Iranit".
"Kjo rrezikon të destabilizojë më tej një rajon që tashmë është i brishtë," tha ajo, duke u bërë thirrje "të gjitha palëve" që të përmbahen nga përkeqësimi i tensioneve.
Çmimet globale të naftës u rritën dhe bursat ranë pas sulmit izraelit ndaj Iranit
Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, ndërsa tregjet e aksioneve pësuan rënie pas lajmit për sulmin izraelit ndaj Iranit.
Treguesit kryesorë si Brent Crude dhe NYMEX Light Sweet u rritën me më shumë se 8% pas publikimit të lajmit.
Tregtarët janë të shqetësuar se konflikti në këtë rajon të pasur me energji mund të ndërpresë furnizimin dhe të çojë në një ofertë më të ulët të naftës në tregje.
Ndërkohë, aksionet ranë në tregjet aziatike të së premtes në mëngjes, ndërsa investitorët kaluan në asete të ashtuquajtura “strehë të sigurt” si ari dhe franga zvicerane.
Ambasadori izraelit në OKB: Vendimi për të goditur Iranin ishte “vendim i pavarur izraelit”
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara ka deklaruar se Izraeli ka një dialog të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara, por se vendimi për të goditur Iranin ishte një vendim i pavarur izraelit.
Kur u pyet në një intervistë për CNN nëse Izraeli priste ndihmë nga SHBA në rast të një përgjigjeje iraniane, ambasadori izraelit në SHBA, Danny Danon, tha:
"Nuk mendoj se duhet të spekulojmë."/Marrë nga BBC/