Izraeli shënon rekord të eksportit të armëve, shitjet u dyfishuan në pesë vitet e fundit - NACIONALE

Izraeli shënon rekord të eksportit të armëve, shitjet u dyfishuan në pesë vitet e fundit

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Eksportet e armëve nga Izraeli shënuan rekord prej më shumë se 19 miliardë dollarësh vitin e kaluar, 30 për qind rritje në krahasim me vitin 2024, tha Ministria e Mbrojtjes.

Më shumë se gjysma e shitjeve të vitit 2025 ishin “mega-marrëveshje” me vlerë të 100 milionë dollarëve ose më shumë, tha kjo ministri, duke shtuar se shitjet janë rritur për më shumë se dyfish në pesë vitet e fundit, pavarësisht kritikave të gjera për veprimet e Izraelit në luftërat në Gaza, me Hezbollahun e me Iranin, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ministria e Mbrojtjes nuk i identifikoi blerësit e armëve izraelite.

Shtetet që janë zotuar se do t’i anashkalojnë prodhuesit izraelitë të armëve po bëjnë porosi në heshtje, sipas zyrtarëve të kësaj industrie. Ekspertët thonë se shtetet i kthejnë sytë nga Izraeli, sepse armët e këtij vendi janë të testuara në fushëbetejë dhe vendet kanë mundësi që të shohin në kohë reale që municionet dhe sistemet funksionojnë.

Një fushë për të cilën Ministria e Mbrojtjes tha se do të jetë prioritet në të ardhmen për inovacion është rrëzimi i dronëve, që është dëshmuar si sfidë gjatë luftës me Iranin. Dronët vështirë lokalizohen në sisteme radarësh, të cilat janë të kalibruara për raketa me shpejtësi të madhe, dhe mund të ngatërrohen me zogjtë apo aeroplanët.

Ekspozita e Teknologjisë së Mbrojtjes këtë vit në Tel-Aviv e pasqyroi interesimin ndërkombëtar në rritje për armët izraelite.

Ministria e Mbrojtjes thotë se i përdor pajisjet e veta për t’i mbrojtur vendin dhe popullin dhe mohon se i përdor fushëbetejat si terrene testimi.

Lajme të ngjashme