Izraeli s’do ta zvogëlojnë numrin e besimtarëve në “Al-Aksa” javën e parë të Ramazanit
Izraeli nuk do ta zvogëlojë numrin e besimtarëve që do të lejohen për t’u falur në xhaminë “Al-Aksa” në javën e parë të Ramazanit në krahasim me nivelet që kanë qenë viteve të kaluara, njoftoi të martën zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kjo zyrë tha se “një vlerësim i situatës rreth sigurisë” do të bëhet çdo javë dhe se “një vendim do të merret në përputhje me rrethanat”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Ramazani është i shenjtë për myslimanët dhe shenjtëria e festës do të ruhet këtë vit, siç ruhet çdo vit” – u zotua zyra e kryeministrit izraelit, në thelb duke i hedhur poshtë kërkesat për kufizime nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili ka pikëpamje të së djathtës ekstreme.
Tensionet e brendshme në Izrael janë shtuar për këtë çështje, përderisa zyrtarët e sigurisë kanë qenë të përçarë rreth rregullave që duhet të vendosen për qasje në xhaminë “Al-Aksa”, ku qindra mijëra besimtarë myslimanë pritet të kërkojnë kohë për falje gjatë muajit të shenjtë, i cili fillon javën e ardhshme.
Qindra mijëra besimtarë myslimanë shkojnë në xhaminë “Al-Aksa” për t’u falur në çdo Ramazan. Përderisa Izraeli ka vendosur kufizime ndaj qasjes së palestinezëve në kohë të tensioneve të larta të sigurisë, është përmbajtur nga vendosja e rregullave ndaj pakicës myslimane të vendit.
Zyrtarët izraelitë kanë shprehur shqetësim se periudha e ndjeshme mund t’i nxisë tensionet që rrjedhin nga lufta në Gaza, e cila ka nxitur zemërim të myslimanëve në mbarë botën kundër Izraelit.
Në një mbledhje të udhëhequr nga Netanyahu rreth përgatitjeve për muajin e Ramazanit dhe para publikimit të këtij njoftimi, kryeministri tha: “Politika e Izraelit gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë që të mbahet liria e adhurimit për të gjitha fetë. Ne natyrisht se gjithmonë kemi vepruar kështu gjatë festës së Ramazanit dhe do të veprojmë kështu tani.”