Izraeli pritet të marrë armë miliardëshe nga ShBA-ja pavarësisht paralajmërimit të Bidenit - NACIONALE

Izraeli pritet të marrë armë miliardëshe nga ShBA-ja pavarësisht paralajmërimit të Bidenit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Armë amerikane me vlerë të miliarda dollarëve janë të gatshme për Izraelin, pavarësisht nga vonimi i një dërgese të bombave dhe rishikimit të dërgesave të tjera nga administrata e presidentit Joe Biden, masa që kanë ardhur për shkak të shqetësimit se armët mund të përdoren në një sulm që mund t’ua rëndojë edhe më shumë gjendjen civilëve palestinezë në Gaza.

Një zyrtar i lartë amerikan tha këtë javë se administrata e kishte rishikuar dërgimin e armëve që Izraeli mund t’i përdorë për një operacion të gjerë në Rafah, qytet në jug të Gazës ku mbi një milion civilë kanë kërkuar strehim, dhe si rezultat ka pauzuar një dërgesë bombash në Izrael, raporton agjencia “Reuters”.

Ndihmësit e Kongresit kanë vlerësuar e vlera e dërgesës së pauzuar të bombave është “dhjetëra miliona” dollarë amerikanë.

Sidoqoftë, një gamë e gjerë e pajisjeve të tjera ushtarake pritet të dërgohen në Izrael, përfshirë municionin e përbashkët për sulm të drejtpërdrejtë (JDAMS), predhat e tankeve, mortajat dhe automjetet e blinduara taktike, u tha gazetarëve senatori republikan, Jim Risch, i cili është anëtar në Komisionin e Marrëdhënieve të Jashtme në Senatin e ShBA-së.

Senatori Risch tha se këto municione nuk po lëvizin nëpër procesin e miratimit aq shpejt sa do të duhej, duke theksuar se disa kanë qenë duke u shqyrtuar nga dhjetori, përderisa asistenca për Izraelin zakonisht kalon nëpër procesin e shqyrtimit brenda javëve.

Zyrtarë të administratës së Bidenit kanë thënë se janë duke rishikuar edhe shitje të tjera të armëve, ndërsa Bideni e paralajmëroi Izraelin të mërkurën se ShBA-ja do ta ndërpresë ofrimin e armëve, nëse forcat izraelite zhvillojnë pushtim të gjerë të qytetit Rafah.

Lajme të ngjashme