Izraeli po dislokon trupa shtesë në veri, afër Libanit - NACIONALE

Izraeli po dislokon trupa shtesë në veri, afër Libanit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli ka filluar që të dislokojë trupa shtesë në kufirin e vet verior në përgatitje për një luftë të plotë me grupin e fuqishëm libanez, Hezbollah.

Trupat nën flamurin e Komandës Veriore kryen një ushtrim të madh me skenarë “ekstremë” në atë zonë të mërkurën. Ushtrimi u mbikëqyr pjesërisht nga kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili tha: “[Ushtarët] janë të vendosur dhe të përkushtuar ndaj misionit – për ta mbrojtur vendin dhe për ta arritur fitoren, asgjë më pak.”

Gjatë javëve të fundit, është shtuar frika në të dyja anët e vijës së kaltër që përpjekjet diplomatike për qetësimin e armiqësive të tanishme hakmarrëse mes dy palëve do të dështojnë që të parandalojnë një rrëshqitje në konflikt të madh pas shtimit të ndjeshëm të sulmeve matanë kufirit, raporton gazeta "The Guardian".

Zyrtarët izraelitë thanë javën e kaluar se ishin nënshkruar plane për një ofensivë tokësore në Liban për ta dëbuar Hezbollahun nga zona kufitare, duke e nxitur udhëheqësin e këtij grupi, Hassan Nasrallah, që të lëshonte kërcënime më të ashpra se që kishte bërë në të kaluarën.

Disa shtete, përfshirë Gjermaninë dhe Kanadanë, kanë lëshuar paralajmërime që u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre për t’u larguar nga Libani.

Hezbollahu ka nisur sulme ndaj Izraelit një ditë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në përpjekje për ta ndihmuar grupin palestinez në luftën e Gazës dhe armiqësitë kanë eskaluar në mënyrë të vazhdueshme gjatë tetë muajve të fundit.

Të paktën 400 njerëz janë vrarë në Liban, përfshirë dhjetëra civilë, ndërsa 19 ushtarë e 11 civilë janë vrarë në Izrael.

Përpjekjet diplomatike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, ende janë duke vazhduar.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, paralajmëroi gjatë një vizite në Uashington se ushtria e vendit të tij është e aftë që Libanin “ta kthejë në Epokën e Gurit” në çfarëdo lufte me militantët e Hezbollahut, por shtoi se Izraeli parapëlqen një zgjidhje diplomatike./Nacionale

Lajme të ngjashme