Izraeli planifikon që ta dyfishojë popullsinë në Golanin e pushtuar - NACIONALE

Izraeli planifikon që ta dyfishojë popullsinë në Golanin e pushtuar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli u pajtua të dielën për ta dyfishuar popullsinë në Rrafshnaltën e pushtuar të Golanit, duke thënë se rreziqet nga Siria mbeten pavarësisht nga toni i moderuar i udhëheqësve të rebelëve që e rrëzuan nga pushteti para dy javëve presidentin Bashar al-Assad.

“Fuqizimi i Golanit është fuqizim i Shtetit të Izraelit dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme në këtë kohë. Ne do të vazhdojmë që të mbahemi për tij, ta shkaktojmë lulëzimin e tij dhe të vendosemi në të” – tha në një deklaratë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Izraeli e kishte kapur pjesën më të madhe të rrafshnaltës strategjike në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967, ndërsa e kishte aneksuar atë më 1981.

Në vitin 2019, presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, e kishte shpallur përkrahjen e ShBA-së për sovranitetin e Izraelit mbi Golanin, por aneksimi i asaj pjese nuk është njohur nga shumica e shteteve. Siria kërkon që Izraeli të tërhiqet, por shteti fqinj refuzon, duke përmendur shqetësime për sigurinë. Përpjekje të ndryshme për paqe kanë dështuar.

Netanyahu tha se bisedoi me Trumpin të shtunën për zhvillimet e sigurisë në Siri.

“Ne nuk kemi interesim për një konflikt me Sirinë” – tha kryeministri izraelit në deklaratë, duke shtuar se veprimet e vendit të tij në Siri kishin për qëllim që t’i “pengonin rreziqet potenciale nga Siria dhe ta parandalonin marrjen e kontrollit nga elemente terroriste afër kufirit tonë”.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha në një deklaratë se zhvillimet e fundit në Siri e shtojnë rrezikun ndaj Izraelit, “pavarësisht nga imazhi i moderuar që udhëheqësit rebelë pretendojnë ta paraqesin”.

Zyra e Netanyahut tha se Qeveria në mënyrë të njëzëshme miratoi një plan me vlerë prej më shumë se 40 milionë shekelësh (11 milionë dollarë) për ta inkurajuar rritjen demografike në Golan.

Kjo zyrë tha se Netanyahu ia dorëzoi planin Qeverisë “pas luftës dhe frontit të ri me të cilin ballafaqohet Siria, dhe nga dëshira për ta dyfishuar popullsinë e Golanit”.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari e dënuan vendimin e Izraelit. Emiratet e Bashkuara, të cilat i normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020, e përshkruan vendimin si “përpjekje e qëllimshme për ta zgjeruar pushtimin”.

Rreth 31 mijë izraelitë janë vendosur në Golan, tha analisti Avraham Levine nga Qendra për Hulumtime dhe Arsim “Alma”. Shumë prej tyre merren me bujqësi dhe turizëm. Në Golan banojnë edhe 24 mijë pjesëtarë të komunitetit Druze, pakicë arabe, sipas Levines. Shumica prej tyre identifikohen si sirianë./Nacionale

Lajme të ngjashme