Izraeli nxjerr listë prej 300 palestinezësh që mund të lirohen, përfshirë vrasës në tentativë
Izraeli ka publikuar një listë prej 300 palestinezësh që mund të lirohen si pjesë e marrëveshjes me Hamasin për lirimin e 50 pengjeve që po mbahen nga ky grup.
Në listën e publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Drejtësisë të Izraelit përfshihen emrat, mosha dhe shkeljet e personave që mund të lirohen, raporton televizioni BBC.
Sidoqoftë, vetëm 150 të ndaluar pritet të lirohen fillimisht nga Izraeli, thekson televizioni britanik.
Shumica e personave në këtë listë janë të moshës 17 ose 18-vjeçare, ndërsa në përgjithësi ka edhe persona nga mosha 14 deri në 59-vjeçare. Shumica e të ndaluarve në këtë listë – 274 nga 300 – janë meshkuj.
Në listën janë edhe shkeljet e të ndaluarve. Aty përfshihen vrasja në tentativë, hedhja e bombave, ndërtimi i mjeteve shpërthyese ose ndezëse, hedhja e gurëve, kontakti me organizata armiqësore, lëndimi i rëndë trupor dhe zjarrvënia me motive nacionaliste.
Sipas organizatës “Human Rights Watch”, gati 7 mijë palestinezë janë duke u mbajtur në burgje izraelite, përfshirë 200 gra e rreth 60 fëmijë.
