Izraeli nis sulme ndaj “caqeve” të Hezbollahut dhe Hamasit në Liban - NACIONALE

Izraeli nis sulme ndaj “caqeve” të Hezbollahut dhe Hamasit në Liban

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite të hënën filloi sulme ndaj atyre që i përshkroi si “caqe” të Hezbollahut dhe Hamasit në Liban, pasi kishte lëshuar urdhra evakuimi për katër fshatra në pjesën jugore dhe lindore të vendit.

Më herët, një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se ushtria ishte duke planifikuar sulme ndaj asaj që e quajti “infrastrukturë ushtarake” të Hezbollahut dhe Hamasit në fshatrat Hammara dhe Ail el-Tineh, në Ultësirën e Bekaa-s në lindje të Libanit, si dhe në Kfar Hatta dhe Aanan në jug, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Izraeli dhe Libani ishin pajtuar në vitin 2024 për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, duke u dhënë fund luftimeve që kishin zgjatur për më shumë se një vit mes Izraelit e Hezbollahut.

Luftimet e kishin arritur kulmin me sulmet izraelite që e kishin dobësuar shumë grupin militant të mbështetur nga Irani. Nga ajo kohë, palët kanë shkëmbyer akuza për shkelje të paktit të armëpushimit.

Libani është ballafaquar me rritje të presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli për ta çarmatosur Hezbollahun dhe udhëheqësit e këtij vendi kanë frikë se Izraeli mund t’i përshkallëzojë sulmet në masë dramatike në mbarë shtetin fqinj për t’i shtyrë ata që t’ia konfiskojnë Hezbollahut më shpejt arsenalin e armëve.

Lajme të ngjashme