Izraeli nis “bastisje tokësore” kundër Hezbollahut në Liban
Izraeli ka nisur çfarë ka përshkruar si “bastisje të kufizuara, të lokalizuara dhe të shënjestruara tokësore” në jug të Libanit, duke shënuar një eskalim në ofensivën e vazhdueshme kundër Hezbollahut.
Sipas ushtrisë izraelite, në shënjestër të operacionit është “infrastruktura” e grupit të mbështetur nga Irani, për të cilën thotë se “paraqet kërcënim të menjëhershëm ndaj komuniteteve izraelite në pjesën veriore të Izraelit”, raporton televizioni BBC.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, më herët kishte lënë të kuptohej se ushtria ishte e gatshme për një operacion tokësor, duke u thënë ushtarëve afër kufirit libanez se Izraeli ishte i përgatitur për të përdorur forca “nga ajri, deti dhe toka” për ta vënë në shënjestër Hezbollahun.
Në anën tjetër, nënsekretari i përgjithshëm i Hezbollahut tha të hënën se grupi ishte i përgatitur për çfarëdo operacioni izraelit brenda Libanit.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin X në orën 2 të mëngjesit të martën, ushtria izraelite konfirmoi se trupat e kishin kaluar kufirin pas grumbullimit të tankeve dhe automjeteve të tjera të blinduara në veri të Izraelit.
Ushtria libaneze do t’i tërheqë trupat e vendosura në kufirin jugor për të paktën pesë kilometra në veri, sipas agjencisë “Reuters”, që citoi një burim libanez të sigurisë.
Të hënën, Gallanti iu tha trupave izraelite në kufi se ushtria izraelite do t’i përdorte “të gjitha mjetet në dispozicion” për ta lejuar kthimin e të zhvendosurve në veriun e vendit.
Në një video të shkurtër, ai tha se “eliminimi” i kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, të premten në Bejrut “është një hap shumë i rëndësishëm, por nuk është gjithçka”.
Ndërkohë pati raportime për bombardime të rënda në qytezën kufitare, Aita al-Shaab, në jug të Libanit, ndërsa afër qytetit Sidon, zyrtarët thanë se një ndërtesë në një kamp të ngarkuar me refugjatë palestinezë u godit nga një sulm. Kjo qe hera e parë në konflikt që ai kamp u sulmua.
Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden, tha: “Duhet të kemi armëpushim tani.” Ai la të kuptohej se parapëlqente që të mos niste operacioni izraelit në Liban./Nacionale