Izraeli kryen sulme të reja në jug të Gazës, raportohet për 66 të vrarë gjatë natës - NACIONALE

Izraeli kryen sulme të reja në jug të Gazës, raportohet për 66 të vrarë gjatë natës

4 javë më parë

nga NACIONALE

Pjesa jugore e Rripit të Gazës u ballafaqua me bombardime intensive izraelite nga forcat izraelite gjatë natës së mbrëmshme, pavarësisht nga presioni ndërkombëtar për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze ku popullsisë po i kanoset rreziku i vdekjes nga uria.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, raportoi se një top zjarri e ndriçoi qiellin e natës në qytetin jugor të Gazës, Rafah, qendra e fundit urbane në enklavë që nuk është sulmuar nga trupat tokësore izraelite, përcjell gazeta “The Guardian”.

Rreth 1,5 milion njerëz janë dyndur në atë pjesë, shumë prej tyre të zhvendosur nga pjesë të tjera të Gazës.

Sipas AFP-së, zhurma e shpërthimeve u dëgjua dhe tymi u pa edhe në qytetin Gaza në veri, ku trupat izraelite kanë qenë duke e sulmuar spitalin më të madh të qytetit për më shumë se një javë.

Forcat izraelite gjithashtu kanë rrethuar dy spitale në qytetin Khan Younis, ku Ministria e Shëndetësisë tha se 12 persona, përfshirë disa fëmijë, u vranë nga një sulm izraelit ndaj një kampi për persona të zhvendosur.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e qeverisur nga Hamasi tha të mërkurën se 66 persona ishin vrarë gjatë natës, përfshirë tre të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në qytetin Rafah dhe përreth tij.

Sipas agjencisë AFP, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze paralajmëroi se mijëra njerëz ishin ngujuar në spitalin “Nasser” në Kahn Younis dhe se “jeta e tyre është në rrezik”.

Luftimet vazhduan pa u pakësuar edhe dy ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi rezolutën e parë me të cilën bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të rreth 130 pengjeve për të cilat Izraeli thotë se mbeten ende në Gaza, përfshirë 34 që supozohet se kanë vdekur.

Lajme të ngjashme