Izraeli: Irani po e gënjen botën, është duke kryer fshehurazi aktivitet të ndaluar bërthamor - NACIONALE

Izraeli: Irani po e gënjen botën, është duke kryer fshehurazi aktivitet të ndaluar bërthamor

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri izraelit ka akuzuar Iranin duke thënë se vendi ka përdorur dokumenta të vjedhura nga mbikqyrësi global i atomit, për të ndihmuar në fshehjen e aktivitetit të ndaluar bërthamor.

Naftali Bennet, është shprehur se Irani “ka gënjyer botën më parë dhe po e gënjen përsëri tani”

Ai tregoi ato që ai tha se ishin kopje të "planit të mashtrimit" të Iranit, duke përfshirë shënime të shkruara me dorë në persisht.

Ndërkohë, Irani mohon të ketë pasur një program sekret, duke akuzuar Izraelin për falsifikim të provave.

Akuzat vijnë një javë përpara një takimi në të cilin shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Rafael Grossi do të paraqesë një raport mbi hetimin e saj në materialin bërthamor të gjetur në tre vende të padeklaruara në Iran.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, në këtë raport thuhet se "Irani nuk ka dhënë shpjegime që janë teknikisht të besueshme në lidhje me gjetjet e Agjencisë në ato vende".

Dyshime se Irani mund të jetë duke u munduar të krijojë armë bërthamore në kundërshtim me konventat kanë edhe vendet perëndimore, por këtë gjë Irani e ka mohuar fuqishëm.

Izraeli e konsideron Iranin një kërcënim të madh si për veten ashtu edhe për gjithë botën, e Irani është një vend që nuk e njeh të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Bisedimet midis fuqive globale dhe Iranit për të ringjallur një marrëveshje të prishur të vitit 2015 që frenonte aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike gjymtuese, kanë ngecur. Ndërsa, mendohet se Irani ka ndjekur aktivitetin që është ndaluar me marrëveshje pas tërheqjes së ShBA-së dhe rivendosjes së sanksioneve.

Të hënën, IAEA tha se stoku i uraniumit të pasuruar në Iran - material që mund të përdoret për të prodhuar karburant reaktorësh, por edhe bomba bërthamore - ishte 18 herë më i lartë se sa lejohej nga marrëveshja e 2015-ës.

Lajme të ngjashme