Izraeli instalon armë robotike me inteligjencë artificiale në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Izraeli instalon armë robotike me inteligjencë artificiale në Bregun Perëndimor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në dy pika të brishta në Bregun e pushtuar Perëndimor, Izraeli ka instaluar armë robotike që mund të hedhin gaz lotsjellës, granata shoku dhe plumba me majë sfungjeri në drejtim të protestuesve palestinezë.

Associated Press

Këto armë, të vendosura mbi një kampt të ngarkuar të refugjatëve në një qytet “të nxehtë” të Bregut Perëndimor, e përdorin inteligjencën artificiale për ta përcjellë shënjestrën. Izraeli thotë se me këtë teknologji shpëtohet jeta e izraelitëve dhe e palestinezëve, por kritikët shohin një hap tjetër drejt një realiteti distopik në të cilin Izraeli e përshtat pushtimin e pakufizuar të palestinezëve duke i mbajtur ushtarët larg rrezikut për pasoja.

Armët e reja u vendosën në kohën e tensioneve të ngritura në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku kryengritjet janë shtuar në masë të konsiderueshme gjatë këtij viti, që ka qenë më vdekjeprurësi që nga viti 2006. Fitorja në zgjedhje e aleancës së ish-kryeministrit Benjamin Netanyhau, në të cilën bën pjesë edhe një parti e së djathtës ekstreme me lidhje të ngushta me një lëvizje të ardhacakëve, ka shkaktuar shqetësim për shtim të mundshëm të dhunës.

Armët robotike janë instaluar në krye të një kulle vrojtimi me kamera të sigurisë të drejtuara nga kampi i refugjatëve “Al-Aroub” në jug të Bregut Perëndimor. Kur protestuesit e rinj palestinezë dalin rrugëve për të hedhur gurë ose bomba gazi në drejtim të ushtarëve izraelitë, armët robotike hedhin gaz lotsjellës ose plumba me majë sfungjeri drejt tyre, thonë dëshmitarët.

Para rreth një muaji, ushtria izraelite vendosi robotë të tillë edhe në qytetin Hebron, ku ushtarët shpesh përleshen me banorët palestinezë që hedhin gurë. Ushtria refuzoi të komentonte për planet që të vendosë sisteme të tilla edhe në pjesë të tjera të Bregut Perëndimor.

Aktivisti palestinez, Issa Amro, tha se banorët e Hebronit kanë frikë se armët e reja mund të keqpërdoren ose të hakohen pa llogaridhënie në situata potencialisht vdekjeprurëse. Ai thotë se njerëzit janë të zemëruar për atë që e shohin si testim të armëve ndaj civilëve.

Pranë armëve robotike nuk ka ushtarë. Në vend të tyre, armët kontrollohen nga largësia me teledirigjues. Me shtypjen e një pulle, ushtarët e strehuar brenda kullës së vrojtimit mund të sulmojnë caqe të përzgjedhura.

Ushtria izraelite thotë se sistemi është duke u testuar në këtë fazë dhe hedh vetëm armatim jovdekjeprurës, i cili përdoret për kontrollimin e turmave, siç janë plumbat me majë sfungjeri dhe gazi lotsjellës. Banorët e kampit “Al-Aroub” thonë se këto armë në mënyrë të përsëritur e kanë mbushur kampin me gaz.

“Nuk e hapim dritaren, nuk e hapim derën. E dimë që të mos hapim asgjë”, tha pronari i një dyqani, i quajtur Hussein al-Muzyeen.

Armbët robotike po futen gjithnjë më shumë në përdorim në pjesë të ndryshme të botës. Ushtritë po e zgjerojnë përdorimin e dronëve për të kryer sulme vdekjeprurëse nga Ukraina në Etiopi. Armët e kontrolluara me teledirigjues si sistemi izraelit në Bregun Perëndimor janë përdorur nga Shtetet e Bashkuara në Irak, nga Koreja Jugore përgjatë kufirit me Korenë Veriore dhe nga grupe të ndryshme të rebelëve sirianë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme