Izraeli i thotë Egjiptit se po ia jep “mundësinë e fundit” marrëveshjes para operacionit në Rafah - NACIONALE

Izraeli i thotë Egjiptit se po ia jep “mundësinë e fundit” marrëveshjes para operacionit në Rafah

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bisedimet mes zyrtarëve izraelitë dhe një delegacioni të lartë egjiptian të dërguar për të diskutuar rreth ofensivës së paralajmëruar të Izraelit në qytetin Rafah të Gazës dhe përpjekjeve për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Hamasin përfunduan të premten. Raportohet se Izraeli ka paralajmëruar se kjo është “mundësia e fundit” për një marrëveshje armëpushimi para se të fillojë sulmi i planifikuar për një kohë të gjatë.

Një zyrtar i lartë izraelit u tha mediave të vendit të tij se bisedimet ishin “shumë të mira, për fokusuara, të zhvilluara në frymë të mirë dhe shënuan përparim në të gjithë parametrat”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Ai shtoi se egjiptianët dukeshin të gatshëm për t’i bërë presion Hamasit drejt arritjes së një marrëveshjeje dhe se “në sfond, ka qëllime shumë serioze nga Izraeli për të lëvizur përpara në Rafah”.

Më tej, zyrtari izraelit paralajmëroi se vendi i tij nuk do të pajtohet me zvarritjen nga Hamasi, sidomos nga udhëheqësi i grupit, Yahya Sinwar, për marrëveshjen për lirimin e pengjeve në përpjekje për ta parandaluar operacionin e ushtrisë izraelite dhe theksoi se forcat rezervë janë thërritur për shërbim. “Kjo është mundësia e fundit para se të futemi në Rafah” – tha zyrtari izraelit, sipas televizionit “Channel 12”.

Është çështje “ose një marrëveshje në të ardhmen e afërt, ose Rafahu”, tha burimi. Besohet gjerësisht se Sinwari është duke u fshehur në rrjetin e tuneleve të Hamasit në zonën e Rafahut, ndërsa pengjet mendohet se ndodhen afër tij për të shërbyer si mburoja njerëzore.

Zyrtari konfirmoi se Izraeli është i përgatitur për ta zgjidhur çështjen e lirimit të më pak se 40 pengjeve të gjalla sipas një propozimi të mëhershëm, siç raportohet se ka sugjeruar Hamasi në kontaktet e tërthorta rishtazi.

Lajme të ngjashme