Izraeli i tërheq negociatorët nga Katari
Izraeli e ka tërhequr ekipin e vet negociues nga Katari, duke u dhënë fund përpjekjeve të menjëhershme për një marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve me Hamasin.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha në një deklaratë se “Izraeli nuk do të sprapset para kërkesave deluzive të Hamasit”, raporton gazeta “The Guardian”.
Më tej, në deklaratë thuhet se pozicioni i Hamasit është “dëshmi e qartë se ai nuk është i interesuar për vazhdimin e bisedimeve dhe një testament i pikëlluar ndaj dëmit të shkaktuar nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Të hënën vonë në mbrëmje, Hamasi lëshoi një deklaratë me të cilën e refuzoi ofertën më të re për marrëveshje, duke thënë se Izraeli nuk po u përgjigjet kërkesave thelbësore të grupit për “armëpushim gjithëpërfshirës, tërheqje nga Rripi [i Gazës], kthim të personave të zhvendosur dhe një këmbim të vërtetë të të burgosurve”.
Më herët të martën, ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha se Hamasi është trimëruar për refuzimin e ofertës nga votimi i një rezolute për armëpushim në Këshill të Sigurimit dhe se grupit i është çuar porosia “s’je i detyruar që të ngutesh”, sepse presioni ndërkombëtar po i hidhet Izraelit.
Në rezolutën që u miratua të hënën në OKB kërkohet armëpushim i menjëhershëm për muajin e Ramazanit si dhe lirim i pengjeve nga Hamasi.
Kjo ishte hera e parë që Shtetet e Bashkuara, Rusia ose Kina nuk bllokuan me veto një rezolutë të OKB-së që kërkon armëpushim në Gaza që nga fillimi i luftës Izrael – Hamas.