Izraeli i shpeshton bombardimet në Qytetin Gaza pas zotimit të Netanyahut për zgjerimin e ofensivës - NACIONALE

Izraeli i shpeshton bombardimet në Qytetin Gaza pas zotimit të Netanyahut për zgjerimin e ofensivës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Palestinezët raportuan për bombardimet më të rënda në disa javë të hënën në zonat lindore të Qytetit Gaza, vetëm disa orë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se pret që të kompletojë një ofensivë të zgjeruar në enklavë “mjaft shpejt”.

Nga një sulm ajror gjithashtu u vranë gjashtë gazetarë, përfshirë korrespondentin e njohur të televizionit “Al Jazeera”, Anas Al Sharif, në një tendë në kompleksin e spitalit “Al Shifa”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Dëshmitarët thanë se tanket dhe aeroplanët i goditën pjesët periferike Sabra, Zeitoun dhe Shejaia të Qytetit Gaza të hënën, duke detyruar shumë familje që të largoheshin nga shtëpitë e tyre e të niseshin drejt perëndimit.

Disa banorë të Qytetit Gaza thanë se nata e kaluar ishte ndër më të rëndat në disa javë, duke shkaktuar frikë nga përgatitjet ushtarake për një ofensivë më të thellë në qytetin e tyre, në të cilin, sipas Hamasit, tani janë duke u strehuar rreth 1 milion njerëz pas zhvendosjes së banorëve nga qoshet veriore të enklavës.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj shkrepën predha artilerie në drejtim të militantëve të Hamasit në zonë. Nuk pati shenja në terren për lëvizje më të thellë të forcave në Qytetin Gaza si pjesë e ofensivës izraelite të miratuar rishtazi, e cila nuk pritet të fillojë në javët e ardhshme.

“Tingëllonte sikur lufta po riniste” – tha Amr Salah, 25 vjeç. “Tanket hodhën predha drejt shtëpive dhe disa shtëpi u goditën dhe aeroplanët i bënë ato që ne i quajmë unaza të zjarrit, me të cilat disa raketa ranë mbi disa rrugë në lindje të Gazës” – i tha ai agjencisë “Reuters” përmes një aplikacioni bisedash.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj të dielën çmontuan një vendnisje të sulmeve në pjesën lindore të Qytetit Gaza, të cilën Hamasi e përdorte për të hedhur raketa drejt komuniteteve izraelite matanë kufirit.

Netanyahu tha të dielën se e kishte udhëzuar ushtrinë izraelite që t’i përshpejtojë planet për ofensivën e re.

“Unë dua që t’i jap fund luftës sa më shpejt që është e mundshme dhe, për këtë arsye, e kam udhëzuar IDF-në (Forcat e Mbrojtjes të Izraelit) që ta shkurtojnë orarin për marrjen e kontrollit në Qytetin Gaza” – tha ai.

Planet e reja izraelite kanë shkaktuar alarm jashtë vendit. Të premten, Gjermania, aleate kyçe evropiane e Izraelit, njoftoi për ndërprerjen e eksporteve ushtarake në Izrael që do të mund të përdoreshin në Gaza. Britania dhe aleatë të tjerë evropianë i kanë bërë thirrje Izraelit që ta rishqyrtojë vendimin për përshkallëzimin e fushatës ushtarake në Gaza./Nacionale

Lajme të ngjashme