Izraeli i paraqet planet e veta për Gazën pas luftës: Palestinezët me pushtet të kufizuar - NACIONALE

Izraeli i paraqet planet e veta për Gazën pas luftës: Palestinezët me pushtet të kufizuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, i ka paraqitur propozimet për qeverisjen e ardhshme të Gazës, porsa të përfundojë lufta mes vendit të tij e Hamasit.

Sipas tij, do të ketë pushtet të kufizuar palestinez në këtë enklavë, ndërsa Hamasi nuk do ta ketë më kontrollin e Gazës e Izraeli do ta mbajë kontrollin e përgjithshëm të sigurisë, raporton televizioni BBC.

Luftimet në Gaza vazhduan në kohën e publikimit të planit. Dhjetëra njerëz u vranë gjatë 24 orëve të kaluara, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që menaxhohet nga Hamasi.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, pritet ta vizitojë përsëri rajonin këtë javë. Ai pritet të zhvillojë bisedime me udhëheqës izraelitë si dhe me udhëheqës palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Sipas planit “me katër kënde” të Gallantit, Izraeli do ta mbante kontrollin e sigurisë në Gaza. Një forcë shumëkombëshe do ta merrte përsipër rindërtimin e enklavës pas shkatërrimit të gjerë nga bombardimet izraelite.

Egjipti fqinj gjithashtu do të merrte një rol të pasaktësuar, sipas këtij plani. Megjithatë, në dokument thuhet se palestinezët do të ishin përgjegjës për qeverisjen e Gazës.

“Banorët e Gazës janë palestinezë, prandaj trupa palestineze do të jenë në detyrë, me kushtin që nuk do të ketë veprime armiqësore ose kërcënime kundër Shtetit të Izraelit”- tha ministri Gallant.

Diskutimet për atë se si do të duket Gaza pas luftës kanë nxjerrë në shesh mospajtime të thella në Izrael.

Disa anëtarë të së djathtës ekstreme në qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu kanë thënë se qytetarët palestinezë duhet të inkurajohen që të largohen nga Gaza dhe të rindërtohen vendbanime hebreje në enklavë. Këto propozime janë cilësuar ekstremiste e “të pazbatueshme” nga disa shtete në rajon dhe nga disa aleatë të Izraelit.

Netanyahu nuk ka folur publikisht për ndonjë hollësi rreth qëndrimeve të tij për qeverisjen e Gazës pas luftës. Ai ka lënë të kuptohet se lufta mund të zgjasë disa muaj me qëllimin që të shkatërrohet tërësisht Hamasi.

Lajme të ngjashme