Izraeli i kritikon kushtet e propozimit për armëpushim, por thotë se bisedimet vazhdojnë
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se një propozim për armëpushim në Gaza është “larg nga kërkesat themelore të Izraelit”, por se bisedimet do të vazhdojnë.
Komentet e tij erdhën pasi Hamasi tha se i kishte pranuar kushtet e armëpushimit të ofruara nga ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti. “Topi tani është në fushën e Izraelit” – tha një zyrtar palestinez, raporton televizioni BBC.
Gjatë natës, forca dhe tanke izraelite u panë afër pikëkalimit kufitar të Rafahut, në jug të Gazës, sipas raportimeve të mediave izraelite.
Më herët, ushtria izraelite kreu sulme ajrore në Rafah, afër kufirit me Egjiptin, pasi i kishte paralajmëruar palestinezët që të evakuoheshin në pjesët lindore të qytetit.
Dhjetëra mijëra banorë besohet se preken nga ky operacion dhe shumë prej tyre u panë duke u dyndur në automjete ose në qerre me gomarë të hënën.
Izraeli për një kohë të gjatë ka kërcënuar se do të fillojë një ofensivë kundër zonave ku po fshihet Hamasi, në qytetin ku tashmë banojnë 1,4 milion njerëz, shumë prej të cilëve kanë kërkuar strehim aty pas ofensivës izraelite në pjesët e tjera të enklavës.
Të hënën vonë, zyra e Netanyahut përmes një deklarate tha: “Edhe pse propozimi i Hamasit është larg nga kërkesat themelore të Izraelit, Izraeli do të dërgojë një delegacion të ndërmjetësve për ta shterur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje nën kushte të pranueshme për Izraelit.”
Në të njëjtën kohë, në deklaratë shtohet se kabineti i luftës i Izraelit kishte vendosur që ta vazhdonte operacionin në Rafah për të “ushtruar presion ushtarak ndaj Hamasit për t’i çuar përpara qëllimet tona të luftës: lirimi i pengjeve, shkatërrimi i ushtrisë dhe i kapaciteteve qeverisëse të Hamasit dhe garancia që Gaza të mos paraqesë kërcënim për Izraelin në të ardhmen”.
Më herët, Hamasi lëshoi një deklaratë në të cilën thuhet se udhëheqësi politik i grupit, Ismail Haniyeh, i kishte njoftuar kryeministrin e Katarit dhe shefin e inteligjencës së Egjiptit për “miratimin e propozimit të tyre në lidhje me një marrëveshje armëpushimi”.
Një zyrtar i lartë palestinez i afërt me propozimin i tha BBC-së se Hamasi ishte pajtuar për t’i dhënë fund “aktivitetit armiqësor përgjithmonë”, nëse plotësohen kushtet.
Kjo shprehje dha shenjë se Hamasi mund të jetë duke e shqyrtuar përfundimin e aktivitetit ushtarak, edhe pse nuk u dhanë hollësi. Një masë e tillë do të vinte pas përfundimit të një marrëveshjeje armëpushimi me dy faza, secila me nga 42 ditë.
Faza e parë do ta përfshinte lirimin e ushtareve izraelite që po mbahen peng, secila në këmbim të 50 të burgosurve palestinezë që do të liroheshin nga burgjet izraelite, përfshirë disa që janë duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm.
Gjatë kësaj periudhe, trupat izraelite do të mbeteshin brenda Gazës. Sidoqoftë, 11 ditë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, Izraeli do të fillonte që t’i zhbënte kapacitetet ushtarake në qendër të enklavës dhe do të tërhiqej nga Rruga “Salah al-Din”, që është rruga kryesore për lëvizje veri – jug, dhe nga rruga bregdetare.
Pas 11 ditëve, palestinezëve të zhvendosur do t’u lejohej kthimi në pjesën veriore të Gazës.
Faza e dytë do të përmbyllej me një “periudhë të gjatë e të qëndrueshme të qetësisë” dhe me largimin e plotë të bllokadës së Gazës, sipas zyrtarit palestinez.