Izraeli e tërheq ambasadorin nga Spanja pas kritikave të reja të Sanchezit për sulmet në Gaza - NACIONALE

Izraeli e tërheq ambasadorin nga Spanja pas kritikave të reja të Sanchezit për sulmet në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria izraelite e ka tërhequr ambasadorin e vet nga Madridi dhe ka thënë se do ta qortojë ambasadorin spanjoll në Tel-Aviv, pasi kryeministri i këtij shteti evropian, Pedro Sanchez, tha se ai kishte “dyshime të vërteta” për atë nëse Izraeli ishte duke e respektuar të drejtën humanitare ndërkombëtare gjatë ofensivës në Gaza.

Komentet e reja të kryeministrit spanjoll erdhën një javë pas shkaktimit të një përplasjeje diplomatike prej tij, duke e shfrytëzuar vizitën në Izrael për t’i bërë thirrje këtij vendi që t’i rimendonte operacionet në Gaza e duke shtuar se kundërpërgjigjja ndaj mizorive të Hamasit “nuk mund t’i nënkuptojë vdekjet e civilëve të pafajshëm, përfshirë mijëra fëmijë”, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke folur në televizionin shtetëror spanjoll, TVE, të enjten në mëngjes, Sanchezi përsëri i dënoi sulmet e Hamasit, por tha se “vendet mike vërtet duhet të jenë në gjendje për t’i treguar gjëra njëra-tjetrës”.

“Kemi thënë që nga fillimi se ajo që e bëri Hamasi në Izrael është absolutisht mizore dhe e neveritshme”- tha ai, duke shtuar se kishte shikuar 20 minuta pamje “shumë të ashpra” të sulmeve gjatë takimit të javës së kaluar me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Ne gjithashtu e kemi shfaqur zotimin tonë publik që Hamasi të detyrohet që t’i lirojë të gjitha pengjet që po i mbajnë menjëherë dhe pa asnjë kusht, çfarëdo qoftë”- tha më tej Sanchezi.

“Por ne duhet t’i themi Izraelit, me bindjen e njëjtë, se veprimet e tij duhet të mbështeten në të drejtën humanitare ndërkombëtare, por me pamjet që po i shohim dhe numrin në rritje të njerëzve – sidomos djem e vajza – që po vriten, unë kam dyshime të vërteta se ata po e respektojnë të drejtën humanitare ndërkombëtare”- shtoi spanjolli.

Sipas tij, zgjidhja politike e kësaj krize e kërkon “njohjen e shtetit të Palestinës”. “Është në interesin më të madh të Evropës që ta adresojë këtë çështje nga bindja morale, sepse ajo që po e shohim në Gaza nuk është e pranueshme”- tha Sanchezi.

Spanja tashmë ka dhënë shenjë se do të ishte e gatshme për të njohur një shtet palestinez në mënyrë të njëanshme, nëse shtetet e tjera të BE-së dështojnë që ta bëjnë këtë në mënyrë kolektive.

Lajme të ngjashme