Izraeli e sfidon botën: Lufta do të vazhdojë me apo pa mbështetjen ndërkombëtare - NACIONALE

Izraeli e sfidon botën: Lufta do të vazhdojë me apo pa mbështetjen ndërkombëtare

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Izraeli po vazhdon që ta sfidojë presionin ndërkombëtar, përfshirë kritikat e aleates më të madhe, ShBA-së, rreth ndërprerjes së mundshme të luftimeve në Gaza. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, ka folur pas përkrahjes dërrmuese që iu dha një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për armëpushim në Gaza, duke paralajmëruar se lufta nuk do të ndalet.

Pas përkrahjes së rezolutës nga 153 shtete e kundërshtimit të saj nga vetëm 10 sosh, Izraeli duket gjithnjë më i izoluar. Pas votimit foli edhe presidenti amerikan, Joe Biden, i cili i dha kritikat më të ashpra deri më tani ndaj udhëheqësisë izraelite, duke e lidhur drejtpërdrejt humbjen e përkrahjes ndërkombëtare me atë që ai e quajti bombardim pa dallim i palestinezëve, raporton televizioni BBC.

Kryediplomati izraelit është kundërpërgjigjur, duke thënë se lufta do të vazhdojë “me apo pa mbështetjen ndërkombëtare”.

“Një armëpushim në fazën e tanishme është dhuratë për organizatën terroriste, Hamas, dhe do t’i lejojë asaj që të kthehet e t’i kërcënojë banorët e Izraelit”- shtoi ai.

Qëndrim të ngjashëm ka paraqitur edhe kryeministri i vendit, Benjamin Netanyahu, i cili ka thënë se asgjë nuk do ta ndalë Izraelin nga vazhdimi i luftës kundër Hamasit, përfshirë presionet ndërkombëtare.

Duke folur para ushtarëve në një bazë ushtarake në jug të vendit, ai tha se Izraeli “do të vazhdojë deri në fund, deri në fitore, deri në eliminimin e Hamasit”.

“Dua ta them në mënyrën më të qartë atë që porsa ia thashë komandantit në terren – ne do të vazhdojmë deri në fund”- deklaroi Netanyahu.

“Nuk ekziston fare një pyetje e tillë. E them këtë edhe përballë dhimbjes së madhe [për ushtarët e rënë], por edhe përballë presioneve ndërkombëtare”- shtoi ai.

“Asgjë nuk do të na ndalë, ne do të shkojmë deri në fund, deri në fitore, jo më pak se kaq”- tha më tej kryeministri izraelit.

Korrespondenti i BBC-së në Jerusalem, Hugo Bachega, thotë se thirrjet ndërkombëtare për armëpushim së shpejti do të jenë shumë të zëshme për t’u shpërfillur.

Ai thekson se zyrtarë të lartë amerikanë po shfaqin gjithnjë më shpesh pakënaqësi për mënyrën se si Izraeli është duke e zhvilluar ofensivën.

Para një jave, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, paralajmëroi se Izraeli rrezikon që një fitore taktike ta shndërrojë në humbje strategjike përmes vrasjes së aq shumë njerëzve.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme