Përkrahje dërrmuese në OKB për armëpushimin në Gaza, Izraeli ngelet me një grusht votash - NACIONALE

Përkrahje dërrmuese në OKB për armëpushimin në Gaza, Izraeli ngelet me një grusht votash

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të martën miratoi me përkrahje bindëse një rezolutë me të cilën kërkohet armëpushim në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit.

Nga votimi në organin me 193 shtete anëtare, 153 vende e përkrahën rezolutën, dhjetë ishin kundërsa saj, ndërsa 23 të tjera abstenuan. Ambasadorët dhe diplomatë të tjerë shpërthyen në duartrokitje, përderisa po publikohej rezultati përfundimtar i votimit, raporton gazeta “The Times of Israel”.

I dërguari i Autoritetit Palestinez në OKB, Riyad Mansour, tha se ky votim shënon “një ditë historike në aspektin e porosisë së fuqishme që u dërgua nga Asambleja e Përgjithshme”.

Kush ishte kundër e kush abstenoi?

Dhjetë shtete votuan kundër rezolutës për armëpushim: Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Austria, Çekia, Guatemala, Liberia, Mikronezia, Papua Guinea e Re, Paraguai dhe Nauruja.

Për më tepër, 23 shtete abstenuan: Argjentina, Bullgaria, Kepi i Gjelbër, Kameruni, Guinea Ekuatoriale, Gjeorgjia, Gjermania, Hungaria, Italia, Lituania, Malaui, Ishujt Marshall, Holanda, Palau, Panamaja, Rumania, Sllovakia, Sudani i Jugut, Togoja, Tonga, Ukraina, Britania e Madhe dhe Uruguai.

Të premten e kaluar, Shtetet e Bashkuara e shfrytëzuan të drejtën e vetos për të bllokuar një rezolutë të ngjashme në Këshillin e Sigurimit. Ndryshe nga ky organ, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të detyrueshme dhe shtetet nuk kanë të drejtë të vetos.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar për rrezikun e “thyerjes së plotë të rendit publik” në Rripin e Gazës për shkak të situatës së krijuar atje.

Lajme të ngjashme