Izraeli e nis operacionin tokësor në Qytetin Gaza
Izraeli e njoftoi të martën fillimin e operacionit tokësor të paralajmëruar për shumë kohë në Qytetin Gaza.
Një zyrtar ushtarak izraelit tha se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit e kanë nisur fazën kryesore të operacionit tokësor në Qytetin Gaza, qendra kryesore urbane e enklavës, ku Izraeli ka udhëruar qindra mijëra banorë që të largohen, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ushtria izraelite dha pak hollësi për operacionin, por tha se trupat e saj kishin nisur që ta “çmontonin infrastrukturën terroriste të Hamasit në Qytetin Gaza”.
Banorët thanë se bombardimet në qytet janë shtuar në masë dramatike në dy ditët e fundit. Shpërthime të fuqishme kanë shkatërruar dhjetëra shtëpi, ndërsa barkat detare u janë bashkuar tankeve e aeroplanëve në bombardimin e bregdetit.
“Ne kemi nisur një operacion domethënës në Gaza” – tha Netanyahu në fillim të dhënies së dëshmisë në gjykatë në rastin kundër tij, ku dyshohet për korrupsion.
Ushtria izraelite tha se dy divizione, të përbëra nga dhjetëra mijëra trupa, i filluan operacionet e zgjeruara tokësore në Qytetin Gaza gjatë natës, përderisa ushtria po nis një “fazë të re” të ofensivës kundër Hamasit.
Sipas ushtrisë, divizionet 162 dhe 98 po i zgjerojnë operacionet në Qytetin Gaza, ndërsa ditëve në vijim do t’u bashkohet edhe divizioni 36, duke i shtuar dhjetëra mijëra ushtarë të tjerë në ofensivë.
Gjatë natës së kaluar, një valë e madhe e sulmeve ajrore u krye në Qytetin Gaza, përderisa dy divizionet filluan që të avanconin në zona të reja të qytetit, përtej atyre që tashmë janë nën kontrollin e forcave izraelite./Nacionale