Izraeli e Irani në prag të luftës, çka po ndodh në Lindjen e Mesme? - NACIONALE

Izraeli e Irani në prag të luftës, çka po ndodh në Lindjen e Mesme?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Situata në Lindjen e Mesme është duke vluar. Më saktë, tashmë ekziston një frikë e shprehur publikisht për mundësinë e sulmit të Iranit ndaj Izraelit. Madje, presidenti i ShBA-së, Joe Biden, e paralajmëroi Iranin që të mos e sulmojë Izraelin, duke ritheksuar mbështetjen amerikane për shtetin izraelit. Çfarë po ndodh?

Reuters shkruan se të premtën Izraeli është përgatitur për një sulm nga Irani ose përfaqësues të tij, ndërsa paralajmërimet u rritën për hakmarrje për vrasjen javën e kaluar të një oficeri të lartë në ambasadën e Iranit në Damask.

Tashë shumë vende, përfshirë Gjermaninë, Francën, Poloninë e Rusinë, kanë paralajmëruar qytetarët e tyre kundër udhëtimit në rajon tashmë të rrezikuar nga lufta në Gaza, që është në muajin e shtatë.

Po ashtu, ShBA-ja ka kufizuar udhëtimet diplomatike në Izrael si pasojë e frikës nga ndonjë sulm nga Irani. Ambasada amerikane tha se personelit i ishte thënë të mos udhëtonte jashtë zonave të Jeruzalemit të madh, Tel Avivit ose Beersheba, transmetonte BBC.

Pentagoni po forcon praninë e tij në Lindjen e Mesme, thanë zyrtarët amerikanë të premten, ndërsa Izraeli po përgatitet që Irani të hakmerret për një sulm pranë ambasadës së tij në Siri, shkruan “Washiington Post".

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se kërcënimi nga Irani ishte real dhe i zbatueshëm. Në anën tjetër, ushtria izraelite u kërkoi njerëzve të qëndrojnë vigjilentë.

"Gjatë ditës së kaluar, ushtria ka kryer një vlerësim të situatës dhe ka miratuar plane për një sërë skenarësh pas raporteve dhe deklaratave për një sulm iranian" – tha zëdhënësi kryesor ushtarak, Daniel Hagari, në një deklaratë televizive të premten, transmeton Nacionale.

Ndërsa në mesazhin e tij të mbrëmshëm, Biden i tha Iranin të mos e bënte sulmin ndaj Izraeli.

“Ne jemi të përkushtuar për mbrojtjen e Izraelit. Ne do ta mbështesim Izraelin. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, ka thënë Biden para gazetarëve.

Tutje, presidenti i SHBA-së tha se ai priste një sulm hakmarrës iranian ndaj Izraelit "së shpejti".

Sjellim ndër mend që Izraeli nuk mori përgjegjësinë për sulmin ajror më 1 prill, ku mbeti i vrarë general brigade, Mohammad Reza Zahedi, një komandant i lartë në Forcën Kuds të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit dhe gjashtë oficerë të tjerë teksa merrnin pjesë në një takim në kompleksin e ambasadës në Damask.

Megjithatë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Izraeli "duhet të dënohet dhe do të ndëshkohet" për një operacion që ai tha se ishte i barabartë me një sulm në tokën iraniane.

Lajme të ngjashme