Izraeli e akuzon vëllanë e shefit të agjencisë së inteligjencës Shin Bet për “ndihmë për armikun në kohë lufte” - NACIONALE

Izraeli e akuzon vëllanë e shefit të agjencisë së inteligjencës Shin Bet për “ndihmë për armikun në kohë lufte”

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Prokurorët shtetërorë në Izrael të enjten ngritën aktakuzë ndaj Bezalel Zini-t, vëlla i shefit të agjencisë Shin Bet për siguri dhe inteligjencë të brendshme, David Zini, dhe ndaj dy të pandehurve të tjerë nën akuzat për kontrabandim cigaresh në Rripin e Gazës si pjesë e një rrethi të gjerë trafikimi.

Të tre akuzohen për ndihmë ndaj armikut në kohë lufte, mashtrim e ryshfet, përpos shkeljeve që përfshihen në ligjet izraelite kundër terrorizmit. Të mërkurën, prokurorët ngritën akuza ndaj 12 të të dyshuarve të tjerë në këtë rast, përfshirë disa rezervistë të ushtrisë izraelite, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Agjencia Shin Bet tha të mërkurën se gjatë tërë luftës “dhe madje edhe më shumë që nga fillimi i armëpushimit”, Hamasi ka qenë duke punuar për rindërtimin e kapaciteteve të veta dhe për ta fuqizuar qeverisjen e vet në Rrip [të Gazës] duke përdorur para nga mallrat e kontrabanduara.

Gjatë gushtit dhe shtatorit të vitit të kaluar, prokurorët pretendojnë se të pandehurit kontrabanduan 26 arka me cigare në Gaza për një shumë të përgjithshme prej 3,9 milionë shekelësh (1,25 milion dollarë amerikanë), duke thënë se kjo ishte vetëm njëra prej disa dërgesave të paligjshme që u kryen nga unaza e trafikimit.

Zini, rezervist i ushtrisë izraelite që e kishte udhëhequr logjistikën për ushtarët që e kryenin punën e demolimeve në Gaza, dyshohet se ka abuzuar me qasjen e tij në enklavë për të kontrabantuar 14 arka me cigare nga Izraeli në Gaza në tri raste, duke fituar gjithsej 365 mijë shekelë (117.405 dollarë amerikanë).

Ndaj tij u ngrit aktakuzë në Gjykatën e Qarkut në Beersheba, krahas Aviel Ben Davidit, rezervist tjetër i ushtrisë izraelite në të njëjtin njësit, dhe mikut të Ben Davidit, Amir Dov Halperin. Të dy dyshohet se kanë kontrabanduar cigare në Rripin e Gazës në pesë raste të ndryshme.

Sipas gjykatës, Zini ishte komandant i një ekipi brenda Divizionit të Gazës të ushtrisë izraelite që operonte pajisje të rënda inxhinierie në Rripin e Gazës. Për shkak të rolit të tij, Zini ishte i autorizuar që të fuste autokolona me pajisje në enklavë.

Zini dhe Ben Davidi kanë marrë nga 15 mijë shekelë (4 mijë e 800 dollarë amerikanë) për të marrë pjesë në kontrabandimin e mallit, tha gjykata izraelite. Aktakuza ndaj 13 të dyshuarve të tjerë pritet të ngrihet ditëve në vijim./Nacionale

Lajme të ngjashme