Izraeli beson se Hezbollahu do t’i kundërpërgjigjet me sulm para Iranit
Zyrtarët izraelitë besojnë gjithnjë më shumë se do të jetë Hezbollahu, jo Irani, që do të nisë i pari një sulm të konsiderueshëm kundër Izraelit ditëve të ardhshme, sipas raportimeve të mediave të mërkurën, ndërsa u raportua se Teherani mund të ishte duke e rishqyrtuar sulmin e nivelin të lartë.
Duke cituar dy burime të afërta me inteligjencën për çështjen, televizioni CNN raportoi se Hezbollahu duket gjithnjë më i vendosur për të vepruar kundër Izraelit, “i pavarur” nga kundërpërgjigjja e pritshme iraniane për vrasjet e fundit të komandantit më të lartë ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr, në Bejrut, dhe kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Njëri nga burimet tha se Hezbollahu ishte duke lëvizur me ritëm më të shpejtë se Irani në përgatitjen e një sulmi, që duket i vendosur për ta nisur në ditët e ardhshme. Sipas mediumit amerikan, shumë zyrtarë kanë thënë se Irani ende duket se është duke i diskutuar planet për hakmarrje.
Një zyrtar ushtarak amerikan citohet të ketë thënë se Teherani tashmë ka bërë disa përgatitje, por jo të gjitha, për një sulm të madh kundër Izraelit.
Burimi i dytë tha se ndryshe nga Irani, Hezbollahu ka gjasë që të nisë një sulm me pak ose pa shenja paralajmëruese, pasi Libani kufizohet me Izraelin. Ky burim shtoi se është e paqartë se si Irani ose prokura e tij libaneze janë duke bashkëpunuar për një sulm të mundshëm dhe disa zyrtarë besojnë se Teherani dhe Hezbollahu mund të mos jenë në të njëjtën linjë për atë se si të vazhdohet tutje.
Ndërkohë, në një raportim pa burime nga televizioni “Channel 12” thuhet se Izraeli u ka bërë të ditur Hezbollahut dhe Iranit që çfarëdo dëmi ndaj civilëve në Izrael gjatë hakmarrjes së tyre të premtuar për vrasjen e figurave të larta do të jetë vijë e kuqe, e cila do të çojë në një kundërpërgjigje joproporcionale.
Në kohën e pritjes së kundërpërgjigjes me sulm, Britania dhe Egjipti iu kërkuan kompanive të tyre ajrore për ta shmangur hapësirën ajrore të Iranit dhe Libanit për shkak të frikës për një konflikt potencialisht më të gjerë në rajon./Nacionale