Italisë i kushtoi qendra për emigrantë në Shëngjin shtatëfish më shumë se një në territor italian - NACIONALE

Italisë i kushtoi qendra për emigrantë në Shëngjin shtatëfish më shumë se një në territor italian

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qendra për ndalimin e emigrantëve që Italia e ka hapur në Shqipëri ka kushtuar shtatë herë më shumë se një qendër e barasvlershme në territor Italian, sipas një hulumtimi të organizatës bamirëse “ActionAid” dhe Universitetit të Barit.

Ministria e Brendshme e Italisë refuzoi që ta komentonte raportin, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryeministrja konservatore italiane, Giorgia Meloni, e sheh qendrën e ndërtuar në Shqipëri si shtyllë të politikave të saj të ashpra ndaj emigrantëve dhe disa shtete të tjera evropiane e kanë shqyrtuar atë si model të mundshëm.

Skema kishte nisur vitin e kaluar, por ishte pezulluar pothuajse menjëherë, pasi gjykatat italiane disa herë kishin dhënë urdhër që emigrantët e kapur në det e të dërguar në Shqipëri të ktheheshin në Itali, duke i cituar çështjet që lidhen me ligjet e Bashkimit Evropian. Gjykata më e lartë e BE-së ende nuk e ka dhënë opinion e saj për këtë çështje.

Sipas raportit, Qeveria e Italisë ka dhënë kontrata me vlerë të 74,2 milionë eurove për ndërtimin e qendrave të ndalimit në Shqipëri, ndërsa shpenzoi më shumë se 153 mijë euro për secilin shtrat funksional.

Sa për krahasim, një qendër e ndalimit për azilkërkues në Sicili ka kushtuar rreth një milion euro për 50 shtretër funksional ose pak më shumë se 21 mijë euro për shtrat, sipas organizatës “ActionAid” dhe Universitetit të Barit.

“Operaconi në Shqipëri dallohet si masa më e shtrenjtë, më çnjerëzore dhe më joefikase në historinë e politikës italiane për emigrantët” – thuhet në raportin e tyre.

Lajme të ngjashme