Italia thotë se e liroi oficerin libian të kërkuar nga GjNP-ja shkaku i gabimeve në urdhërarrest
Ministri i Drejtësisë i Italisë, CarloNordio, tha të mërkurën se vendi i tij nuk kishte zgjedhje tjetër, pos të lironte një oficer ushtarak libian të kërkuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) për shkak të atyre që ai i përshkroi si gabime dhe pasaktësi në urdhërarrestin e lëshuar nga kjo gjykatë.
Osama Elmasry Njeem u lirua dhe u dërgua me aeroplan në Tripoli të Libisë dy ditë pasi ishte ndaluar muajin e kaluar në pjesën veriore të Italisë sipas një urdhërarresti të GjNP-së, në të cilin thuhej se ai dyshohej për vrasje, torturim dhe përdhunim të të ndaluarve në Libi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Lirimi i tij nxiti zemërim në mesin e partive opozitare italiane dhe shkaktoi hetim ligjor kundër kryeministres Giorgia Meloni, dy ministrave të saj dhe një nënsekretari të kabinetit.
Njëri nga ata që janë nën hetim, ministri Nordio, tha para deputetëve se urdhërarresti ishte “shënuar nga pasaktësi, lëshime, mospërputhje dhe konkluzione kundërthënëse”.
Përfaqësuesit e gjykatës dhe prokurori i saj nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për një reagim ndaj komenteve.
Ministri Nordio tha se kishte “paqartësi” në urdhërarrest për atë se kur Njeem dyshohej për kryerjen e krimeve të pretenduara, duke thënë se dokumenti sugjeronte se ato kishin filluar në shkurtin e vitit 2011 dhe më vonë i referohej periudhës shkurt 2015.
“Është synimi im... që të kërkoj nga GjNP-ja justifikim të mospërputhjeve”, tha ai, duke shtuar se gjykata kishte kuptuar se kishte bërë një “rrëmujë të madhe, të ngutshme” dhe e përmirësoi dokumentin disa ditë pas lëshimit të tij.
Ministri i Punëve të Brendshme, Matteo Piantedosi, i cili gjithashtu foli para deputetëve, ritheksoi se vendimi për dëbimin e Njeem-it pas lirimit të tij u mor për shkak se ai shihej si i rrezikshëm.
Ai i mohoi pretendimet e opozitës se Njeem-i kishte punuar me Italinë për ta kontrolluar rrjedhën e emigrantëve nga Libia, ose që Roma ishte ballafaquar me presion të jashtëm për ta liruar atë./Nacionale