Italia sërish cak i sulmeve kibernetike të grupeve pro-ruse - NACIONALE

Italia sërish cak i sulmeve kibernetike të grupeve pro-ruse

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi pro-rus i hakerëve Killnet dhe anëtari i tij Legion kanë shënjestruar mijëra faqe interneti, duke përfshirë uebfaqet e qeverisë, në një sulm të koordinuar kibernetik, ka njoftuar policia italiane.

Hakerët rusë përdorën sulme DDoS për të shënjestruar faqen e internetit të ministrisë së jashtme, ministrisë së arsimit dhe trashëgimisë kulturore, dhe uebfaqen e ministrisë së mbrojtjes në një përpjekje për të mbingarkuar serverët. Senati, Këshilli i Lartë i Magjistraturës dhe faqet e internetit të infrastrukturës së transportit si aeroportet dhe trenat ishin gjithashtu në shënjestër. Sulmet shkaktuan vonesa dhe ndërprerje në transport.

Përpjekjet për të sulmuar uebfaqet institucionale janë përsëritur në dhjetë ditët e fundit, duke përfshirë edhe sulmin ndaj Eurovizionit, sulm për të cilin i njëjti grup i hakerëve pro-rusë e pranoi përgjegjësinë në Telegram. Sipas ekspertëve, hakerët po planifikojnë një luftë kibernetike dhe tani po testojnë sistemet.

Ndërkohë, qeveria ka nisur së fundmi Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2022-2026, e cila përfshin veprime për të "forcuar rezistencën në tranzicionin dixhital", "parashikuar evoluimin e kërcënimit", menaxhimin e krizave dhe "kundër dezinformimit në internet", raporton agjencia e lajmeve Ansa.

Dezinformimi dhe përhapja e propagandës pro-Kremlinit në kanalet italiane janë bërë gjithashtu një shqetësim për ligjvënësit italianë që kur transmetuesi televiziv Rete 4 transmetoi pretendimet e rreme të Ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, disa javë më parë.

Mes dyshimit se komentuesit në transmetime mund të përhapin propagandë pro-Kremlinit, komisioni parlamentar italian për sigurinë, Copasir, ka nisur tashmë një hetim "për format e huaja të dezinformimit dhe ndërhyrjes".

Lajme të ngjashme