Italia ndan idetë ambicioze të Macron-it për zgjerimin e BE-së
Italia ndan propozimet ambicioze të presidentit francez Emmanuel Macron për reformën e BE-së për zgjerimin, ka thënë ministri i Çështjeve Evropiane të Italisë, Vincenzo Amendola, në seancën e Konferencës përfundimtare për të Ardhmen e Evropës në Strasburg të mbajtur dje.
Duke folur në Parlamentin Evropian në Ditën e Evropës, Macron sugjeroi ndërtimin e një "komuniteti politik të ri evropian" dhe prezantoi propozimet e tij për reforma. Nisma e presidentit francez është në përputhje me rekomandimet e bëra nga disa politikanë italianë, përfshirë ish-kryeministrin dhe liderin aktual të Partisë Demokratike Enrico Letta, shkruan Euractiv.
Italia “ndan propozimin ambicioz të presidentit francez Emanuel Macron për të ndërtuar një hapësirë më të gjerë politike për të zgjeruar Bashkimin Evropian”, u tha Amendola ligjvënësve në Strasburg.
“BE-ja pritet të bëjë një hap vendimtar përpara në bashkëpunimin energjetik dhe në fusha të tilla si politika e jashtme dhe ajo e mbrojtjes. Vetëm kohezioni i BE-së në këtë moment historik mund të na mbrojë nga kërcënimi i luftës”, tha ai.
Nënsekretari italian sqaroi gjithashtu se “e ardhmja e BE-së varet nga reforma e traktatit” dhe shtoi nevojën urgjente për të hequr dorë nga “ngurrimet e kaluara për zgjerimin, veçanërisht për disa vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”.
Më herët të hënën (9 maj), kryeministri Mario Draghi kujtoi rëndësinë e "idealizmit federalist në ndërtimin e një ndërgjegjeje evropiane".
"Ne duhet të shtojmë pragmatizmin që mbështeti krijimin e institucioneve të para evropiane dhe evolucionin e tyre," tha ai në Festivalin Ventotene Europa nëpërmjet videokonferencës.