Italia e ndalon prindërimin surrogat edhe jashtë vendit - NACIONALE

Italia e ndalon prindërimin surrogat edhe jashtë vendit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Italia të mërkurën e bëri vepër penale shkuarjen jashtë vendit për të pasur fëmijë përmes surrogacisë, masë që u kritikua nga kundërshtarët si “mesjetare” dhe diskriminuese ndaj çifteve të gjinisë së njëjtë.

Masa për zgjerimin e ndalimit të surrogacisë, që është në fuqi nga viti 2004, u promovua nga partia e së djathtës ekstreme e kryeministres Giorgia Meloni dhe nga partneri i koalicionit, Lidhja, duke pohuar se vendimi e mbron dinjitetin e grave, raporton agjencia “Associated Press”.

Pas një debate që zgjati shtatë orë në Senat, masa u miratua me 84 vota për e 58 kundër. Ky ishte hapi përfundimtar në proces, pasi masa ishte miratuar paraprakisht vitin e kaluar edhe nga Dhoma e Ulët.

Italianët që synojnë të bëjnë surrogaci në shtete si ShBA-ja ose Kanadaja, ku një gjë e tillë është e ligjshme, mund të ballafaqohen me burgim deri në dy vjet ose gjobë deri në një milion euro.

Ndalimi i surrogacisë vlen njësoj për të gjitha çiftet, por mbrojtësit e prindërimit të çifteve me gjini të njëjtë thonë se masa i godet posaçërisht rëndë çiftet homoseksuale në një shtet që po ballafaqohet me shkallë rekorde të ulët të lindjeve dhe ku vetëm çifteve heteroseksuale u lejohet birësimi i fëmijëve.

Në Itali ndalohet edhe martesa e çifteve me gjini të njëjtë, ndërsa çiftet e këtij komuniteti kanë qenë duke luftuar për të siguruar të drejtë prindërimi për partnerin që nuk është prind biologjik.

Disa ligjvënës dhe aktivistë të komunitetit LGBT protestuan para Senatit për ta kundërshtuar ligjin. Disa mbajtën në duar parulla ku shkruhej “Prindër, jo kriminelë”./Nacionale

Lajme të ngjashme