ISIS-i vret katër pjesëtarë të personelit të sigurisë në Siri
Militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik (ISIS) vranë katër pjesëtarë të personelit sirian të sigurisë në hënën në pjesën veriore të vendit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, në atë që do të ishte sulmi më vdekjeprurës i grupit ndaj forcave qeveritare që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad.
Sulmi në një pikë kontrolli në perëndim të qytetit Raqqa nënvizoi një përshkallëzim të sulmeve nga grupi xhihadist kundër qeverisë së presidentit Ahmed al-Sharaa, dy ditë pasi ISIS-i shpalli “një fazë të re të operacioneve” kundër saj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
ISIS-i nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin e së hënës. Të shtunën, grupi e mori përgjegjësinë për dy sulme kundër personelit ushtarak sirian në pjesët veriore dhe lindore të vendit. Një ushtar sirian dhe një civil mbetën të vrarë.
Agjencia shtetërore e lajmeve tha se forcat e zbuluan sulmin e së hënës dhe e vranë njërin nga militantët. Kjo agjenci citoi një burim të sigurisë të ketë thënë se sulmi u krye nga ISIS-i.
Qeveria siriane vitin e kaluar u bë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për luftën kundër ISIS-it. Në janar, forcat qeveritare e morën nën kontroll qytetin Raqqa nga Forcat Demokratike Siriane, të cilat udhëhiqen nga kurdët, bashkë me një pjesë të madhe të territorit përreth, në veri dhe lindje të vendit.
Ndërkohë, forcat amerikane të hënën filluan që të tërhiqeshin nga baza e tyre më e madhe ushtarake në verilindje të Sirisë, sipas tri burimeve ushtarake siriane, si pjesë e një tërheqjeje më të gjerë të trupave amerikane që ishin dislokuar në Siri para një dekade për ta luftuar ISIS-in.