Ishte në mision vullnetar, vdes në Sumy tenori ukrainas, Vladislav Gorai - NACIONALE

Ishte në mision vullnetar, vdes në Sumy tenori ukrainas, Vladislav Gorai

1 javë më parë

nga NACIONALE

Tenori Vladislav Gorai, anëtar i Operës Kombëtare të Odesës në Ukrainë, vdiq të dielën gjatë kohës kur ishte i angazhuar në një mision vullnetar në rajonin verior Sumy, që kufizohet me Rusinë, thanë zyrtarët e operës.

Më shumë se tri vjet që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës, forcat ruse iu afruan qytetit Sumy javën e kaluar, duke e vënë në rrezik kryeqytetin rajonal përmes një avancimi të dyfishtë me luftime të ashpra në vijën e frontit si dhe me sulme të pamëshirshme me raketa e dronë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“E tërë bota e njohu zërin e Vladislav Vikentiiovych-it, por zemra e tij i përkiste Ukrainës. As në kohërat më të errëta, ai nuk qëndroi anash – ai ndihmoi, bëri punë vullnetare, përkrahu” – thuhet në një deklaratë të operës të dielën.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si Gorai ka vdekur. Në vitin 2013, ai ishte shpallur Artist i Nderuar i Ukrainës. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte raportin në mënyrë të pavarur.

Në uebfaqen e vet, opera thotë se Gorai kishte punuar në teatrin e Odesës që nga viti 1993, pasi kishte diplomuar më 1988 në Fakultetin e Muzikës të Institutit Pedagogjik Shtetëror të Vinnytsia-s.

Ai kishte marrë pjesë në projekte ndërkombëtare të operës në qytete si Parisi, Roma, Amsterdami, Cyrihu, Strasburgu e Lyoni.

Në mesin e qendrave muzikore në të cilat ai ka punuar përfshihen Teatri Monumental i Madridit dhe Opera Shtetërore e Rumanisë. Kishte udhëtuar në shtete të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kanadanë dhe Italinë./Nacionale

Lajme të ngjashme