Ish-zyrtari i lartë amerikan: Izraeli ka trajtim special nga ShBA-ja si asnjë shtet tjetër
Një ish-zyrtar i lartë amerikan, i cili deri rishtazi ka ndihmuar për ta mbikëqyrur respektin e të drejtave të njeriut nga ushtritë e huaja që pranojnë asistencë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, tha të mërkurën se ai vazhdimisht ka vërejtur se Izraeli merr “trajtim special” nga zyrtarë amerikanë, kur bëhej fjalë për hulumtimin e akuzave për abuzime ushtarake izraelite ndaj civilëve palestinezë.
Ky pretendim vjen në kohën kur administrata e presidentit Joe Biden po ballafaqohet me presion të madh për trajtimin e civilëve palestinezë nga Izraeli gjatë luftës kundër Hamasit në Gaza. Pretendimi ka peshë, thekson agjencia“Associated Press”, për shkak të autorit të tij: Charles O. Blaha.
Para se të largohej nga pozita në gusht, ai ishte drejtor i zyrës për siguri dhe të drejta të njeriut në Departamentin e Shtetit, e përfshirë ngushtë në ndihmën për të garantuar që ushtritë e huaja që marrin ndihma ushtarake amerikane janë duke i ndjekur ligjet amerikane dhe ndërkombëtare humanitare dhe për të drejtat e njeriut.
Blaha tha se largimi i tij nga Departamenti i Shtetit pas disa dekadave shërbim nuk ishte i ndërlidhur me marrëdhëniet e sigurisë ShBA – Izrael. Ai është zyrtari i dytë i lartë shtetëror i përfshirë në këto marrëdhënie që pohon se, kur bëhet fjalë për Izraelin, ShBA-ja ngurron që t’i zbatojë ligjet e kërkuara për ushtritë e huaja që marrin ndihma amerikane.
“Në përvojën time, Izraeli merr trajtim special që nuk e merr asnjë shtet tjetër dhe ka dallim të panevojshëm, në shumë raste, që i bëhet” anës së gjërave të zyrtarëve izraelitë, kur ShBA-ja bën pyetje rreth dyshimeve për shkelje izraelite kundër palestinezëve, shtoi ai.
Komentet e Blahas ngjajnë me ato të një ish-zyrtari tjetër të Departamentit të Shtetit, Josh Paul. Ai dha dorëheqje në tetor nga pozita e drejtorit që e mbikëqyr transferimin e armëve te ushtritë e huaja si shenjë proteste ndaj dërgimit të armëve amerikane në Izrael gjatë luftës në Gaza.
Kur u pyet për pretendimet e dy ish-zyrtarëve, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, tha: “Nuk ka standard të dyfishtë dhe nuk ka trajtim special”.
Zyrtarët izraelitë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment. Izraeli vazhdimisht thotë se i ndjek të gjitha ligjet gjatë përdorimit të ndihmës ushtarake nga ShBA-a, se i heton dyshimet kundër forcave të veta të sigurisë dhe i mban përgjegjës shkelësit.
Izraeli është historikisht marrësi më i madh i ndihmës ushtarake nga ShBA-ja dhe Bideni të mërkurën e nënshkroi legjislacionin për 26 miliardë dollarë shtesë asistencë ushtarake në kohë lufte për këtë shtet.