Ish-ushtari britanik shpallet fajtor për spiunim për Iranin
Ish-ushtari britanik, Daniel Khalife, është shpallur fajtor për spiunim për Iranin, por është liruar nga akuza për alarm të rremë për bombë.
Khalife u shpall të enjten fajtor për dy akuza që lidhen me spiunimin. Prokurorët e akuzuan atë se ka luajtur “lojë cinike” në pretendimin se donte karrierë si agjent i dyfishtë për t’i ndihmuar shërbimet britanike të sigurisë. Në të vërtetë, ai grumbulloi “një grumbull shumë të madh të materialeve të kufizuara dhe të klasifikuar”, thanë ata, raporton gazeta “The Guardian”.
Khalife në mënyrë të fshehtë i kishte mbledhur emrat e ushtarëve aktivë, përfshirë ata që ishin pjesë e forcave special. Në gjykatën mbretërore në Woolwich u tha se ai kishte bërë fotografi të një liste me shkrim dore me emrat e 15 pjesëtarëve të personelit, në mesin e të cilëve kishte anëtarë të SAS-it dhe Shërbimit të Posaçëm të Barkave.
Ai ka mohuar se ua ka dërguar listën iranianëve dhe ka pretenduar se ai ka dërguar kryesisht dokumente të padobishme ose të shpikura.
Në gjykatë u tha se Khalife do të mund ta rrezikonte jetën e Nazanin Zaghari-Ratcliffe-s duke i dërguar Iranit një dokument të rremë të inteligjencës ku thuhej se Qeveria e Britanisë nuk ishte e gatshme për të biseduar rreth lirimit të saj.
Prokurorët thanë se ai kishte vepruar në mënyrë të pamatur përmes dërgimit të dokumentit dhe do të mund të kishte shkaktuar “pasoja” për Zaghari-Ratcliffe, e cila u lirua vetëm pasi ministrat ishin pajtuar për të zgjidhur një borxh prej 400 milionë funtesh që datonte nga vitet e shtatëdhjeta.