Ish-sekretari britanik e kritikon Macronin për Putinin, paralajmëron brishtësi në Ballkanin Perëndimor
Ish-sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Michael Fallon, është përplasur me presidentin francez, Emmanuel Macron, duke thënë se ai nuk i kupton ata që thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk duhet të lihet i turpëruar në fund të luftës në Ukrainë.
Presidenti francez ka bërë thirrje që Rusisë të mos i lejohet fitorja në luftë, por që gjithashtu të mos turpërohet presidenti rus. Sidoqoftë, ish-zyrtari i lartë britanik, duke folur në një forum ekonomik në Poloni, tha:
“Nuk i kuptoj njerëzit që thonë se Putini nuk duhet të turpërohet nga dështimi. Ai duhet të dështojë dhe duhet të turpërohet, nëse nuk do të pranojnë që ai ka ndonjë lloj të drejte legjitime për të qenë në ndonjë pjesë të Ukrainës.”
“Nëse ne dobësohemi tash duke e lejuar Rusinë që të vazhdojë përgjatë kësaj rruge, duket se shtetet baltike, Moldavia, Gjeorgjia, Ballkani Perëndimor – të gjitha – do të jenë të brishta në të ardhmen”, shtoi ai.
Fallon ka shërbyer si sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 2014 deri më 2017, pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga Rusia.
Ai i bëri thirrje Perëndimit që ta shqyrtojë mundësinë që Ukrainës t’i jepet një sistem modern i mbrojtjes ajrore si formë e përhershme e sigurisë kundër sulmeve të ardhshme të Rusisë, me mundësi që në këtë dhurim të kontribuojë Polonia.
Ish-zyrtari britanik tha se sanksionet kundër Rusisë jo vetëm që duhet të shtohen, por edhe të zbatohen, sepse disa shtete po e lejojnë ribrendimin e naftës ruse në doganat ndërkombëtare.
“Politikanët duhet të shpjegojnë më mirë dhe në mënyrë më të plotë se do të nevojitet sakrificë, jo vetëm në fushën e energjisë, por në aspektin e transfereve fiskale. Kjo nuk është vetëm luftë territori, por luftë parimi”, tha ai./Nacionale
