Ish-këshilltari: Nëse fiton Trumpi, ShBA-ja do të jetë jashtë NATO-s - NACIONALE

Ish-këshilltari: Nëse fiton Trumpi, ShBA-ja do të jetë jashtë NATO-s

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa ish-këshilltarë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kanë paralajmëruar se ai do të synojë që t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja, nëse fiton në zgjedhjet e këtij viti.

Në librin e gazetarit Jim Sciutto, “Kthimi i Fuqive të Mëdha” (“The Return of Great Powers”), që do të dalë në treg më 12 mars, një ish-zyrtar i lartë amerikan, që ka shërbyer në nivel të lartë në administratat e ish-presidentit Trump e presidentit Joe Biden, ka thënë se nëse Trumpi fiton në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, “ShBA-ja do të jetë jashtë NATO-s”, raporton televizioni CNN.

Me këtë vlerësim pajtohet edhe ish-këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, John Bolton, i cili tha: “NATO-ja do të ishte në rrezik të vërtetë. Mendoj se ai [Trumpi] do të mundohej të dilte [nga NATO-ja].”

John Kelly, gjeneral i pensionuar amerikan, i tha gazetarit Sciutto se kritikat e Trumpit rreth zotimeve të ShBA-së për sigurinë arrijnë te marrëveshjet e përbashkëta të vendit edhe me Japoninë e Korenë Jugore.

“Çështja është se ai nuk pa absolutisht ndonjë qëllim në NATO. Ai ishte thjesht shumë i vendosur kundër pasjes së trupave në Kore Jugore, përsëri, një forcë parandaluese, ose pasjes së trupave në Japoni, një forcë parandaluese” – shton Kelly në libër.

“Ai [Trumpi] mendoi se Putini ishte djalë në rregull dhe Kimi [i Koresë Veriore] ishte djalë në rregull, që ne e kishim shtyrë në qoshe Korenë Veriore. Për të, ishte sikur ne po i nxisnim këta burra. Nëse nuk do ta kishim NATO-n, atëherë Putini nuk do të ishte duke i bërë këto gjëra” – thotë Kelly.

Zyrtarë të lartë të administratës, me të cilët ka folur Sciutto, kanë dhënë hollësi se si Trumpi ishte afër tërheqjes së ShBA-së nga aleanca, që është shtyllë kyçe e sigurisë perëndimore kundër Rusisë, gjatë mandatit të tij të parë dhe kanë paralajmëruar se ka gjasa që ai të shkojë më larg në mandatin e dytë, nëse fiton.

Në librin “Kthimi i Fuqive të Mëdha”, disa këshilltarë kujtojnë në hollësi se si Trumpi për pak nuk e kishte larguar ShBA-në nga NATO-ja gjatë një samiti të aleancës në Bruksel më 2018.

Një ish-zyrtar i lartë amerikan ka thënë se Trumpi kishte lëshuar urdhra për komandantin e atëhershëm të ushtrisë amerikane, Gjeneral Mark Milley, dhe sekretarit të atëhershëm të Mbrojtjes, Mark Esper, për tërheqjen e ShBA-së nga NATO-ja. Edhe pse e kishin kundërshtuar këtë veprim, ata e kishin cilësuar udhëzimin e presidentit “urdhër të ligjshëm” dhe kishin hartuar plane për zbatimin e tërheqjes nga aleanca.

Boltoni e kujton samitin e vitit 2018 në NATO me frikë të vërtetë. “I sinqertë me Zotin, ishte e frikshme, sepse nuk dinim se çfarë do të bënte ai [Trumpi] deri në minutën e fundit. Dua të them, mendoj se ai vetëm sa nuk thoshte se do të dilte nga NATO-ja e pastaj u tërhoq për këtë” – shtoi Boltoni.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme