Irlanda nga sot e njeh zyrtarisht shtetin palestinez
Irlanda njohu zyrtarisht një shtet palestinez të martën, njoftoi përmes një deklarate Qeveria, duke e sfiduar Izraelin, që e ka dënuar planin.
Qeveria e Irlandës e miratoi njohjen e Palestinës gjatë një takimi të kabinetit të martën në mëngjes, raporton agjencia “Reuters”.
“Qeveria e njeh Palestinën si shtet sovran dhe të pavarur dhe u pajtua për të vendosur marrëdhënie të plota diplomatike mes Dublinit dhe Ramallahut” – thuhet në deklaratë.
“Një ambasador i Irlandës në Shtetin e Palestinës do të emërohet bashkë me një Ambasadë të plotë të Irlandës në Ramallah” – thuhet më tej në deklaratë.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky vendim ka të bëjë me mbajtjen gjallë të shpresës për paqe.
“Ky vendim i Irlandës ka të bëjë me mbajtjen gjallë të shpresës. Ka të bëjë me besimin se një zgjidhje me dy shtete është mënyra e vetme për Izraelin dhe Palestinën që të jetojnë krahas njëri-tjetrit në paqe dhe siguri” – tha ai në një deklaratë.
“Unë i bëj thirrje përsëri kryeministrit Netanyahu të Izraelit që ta dëgjojë botën dhe ta ndalë katastrofën humanitare që ne po e shohim në Gaza” – shtoi kryeministri irlandez.