Irani ua heq vizat 33 shteteve, përfshihen tri vende të Ballkanit
Irani ka njoftuar se do t’i heqë vizat për hiç më pak se 33 shtete, përfshirë Arabinë Saudite, me të cilën kishte marrëdhënie të akullta me vite para përmirësimit të tyre para disa muajve, tha të enjten Agjencia Studentore e Lajmeve.
“Ministria e Turizmit beson se një politikë me dyer të hapura do ta dëshmojë vendosmërinë e Iranit për t’u angazhuar me shtete të ndryshme të botës”- raporton agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, ISNA, përcjell agjencia “Reuters”.
Ky vendim do ta çojë në 45 numrin e shteteve ose territoreve qytetarët e të cilave mund ta vizitojnë Iranin pa pasur nevojë për vizë, thuhet më tej.
Lëvizja e re është hap tjetër drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Iranit e Arabisë Saudite në veçanti pas viteve me tension mes dy rivaleve të Gjirit Persik.
Riadi dhe Teherani janë rreshtuar me palë kundërshtare në Siri, Irak e Jemen gjatë dekadës së fundit.
Irani e Arabia Saudite u pajtuan në mars të këtij viti, përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina, që t’i rivendosnin marrëdhëniet e plota diplomatike, të cilat i kishin shkëputur më 2016.
Sipas uebfaqes “Iran International”, në mesin e shteteve që do t’u hiqen vizat iraniane janë edhe tri shtete ballkanike: Kroacia, Bosnja dhe Serbia. Nga vendet evropiane përfshihet edhe Bjellorusia.
Në mesin e vendeve afrikane, vizat do t’u hiqen Tunizisë, Mauritanisë, Tanzanisë, Zimbabvesë, Mauritiusit dhe Ishujve Seychelles.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli