Irani thotë se sulmi ndaj Izraelit ka përfunduar
Irani tha të mërkurën se sulmi i tij raketor ndaj Izraelit, veprimi më i madh ushtarak i Teheranit ndaj këtij shteti, ka përfunduar, ndërsa Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara premtuan kundërpërgjigje, duke e shtuar frikën për një luftë më të gjerë.
Izraeli do të nisë një “hakmarrje domethënëse” brenda disa ditëve që mund të shënjestrojë qendra të prodhimit të naftës brenda Iranit dhe zona të tjera strategjike, raportoi të mërkurën uebfaqja amerikane e lajmeve, “Axios”, duke cituar zyrtarë izraelitë, raporton agjencia “Reuters”.
“Veprimi ynë është i përmbyllur, përpos nëse regjimi izraelit vendos që të nxisë hakmarrje të mëtejme. Në atë skenar, kundërpërgjigjja jonë do të jetë më e fuqishme” – tha të mërkurën herët në rrjetin X ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi.
Pavarësisht nga thirrjet për armëpushim nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut vazhduan edhe të mërkurën.
Izraeli kreu bombardime të reja në periferinë jugore të Bejrutit, bastion i grupit të mbështetur nga Irani, me të paktën gjashtë sulme kundër atyre që ushtria tha se ishin caqe të Hezbollahut.
Në anën tjetër, Hezbollahu tha se u ballafaqua me forca izraelite të infiltruara në qytezën libaneze, Adaisseh, herët të mërkurën, dhe i detyroi ato që të tërhiqeshin.
Irani tha se sulmi i së martës ishte i drejtuar vetëm drejt objekteve ushtarake. Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve tha se tri baza ushtarake izraelite ishin në shënjestër të sulmit.
Teherani tha se sulmi i tij ishte kundërpërgjigje ndaj vrasjes së udhëheqësve të militantëve dhe agresionit izraelit në Liban kundër Hezbollahut dhe në Gaza.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar për hakmarrje. “Irani bëri një gabim të madh sonte dhe do të paguajë për këtë” – tha ai të martën vonë.
Uashingtoni tha se do të punonte me Izraelin për t’u siguruar që Irani të ballafaqohej me “pasoja të ashpra” për sulmin e së martës, gjatë të cilit Izraeli tha se u hodhën mbi 180 raketa balistike.
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, bisedoi të martën vonë me homologun izraelit, Yoav Gallant, dhe tha se Uashingtoni është “i pozicionuar mirë” për t’i mbrojtur interesat e veta në Lindje të Mesme, sipas një deklarate të Pentagonit.