Irani thotë se një shtet arab do ta përcjellë në Teheran letrën e Trumpit - NACIONALE

Irani thotë se një shtet arab do ta përcjellë në Teheran letrën e Trumpit

1 javë më parë

nga NACIONALE

Letra e presidentit amerikan, Donald Trump, për udhëheqësinë e Iranit “do të dërgohet së shpejti në Iran nga një shtet arab”, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha javën e kaluar se vendi i tij nuk do të bullizohet për të hyrë në bisedime, pasi Trumpi tha se kishte dërguar një letër për t’i bërë thirrje Iranit që të përfshihet në negociata për një marrëveshje të re bërthamore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi më 2018 i largoi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit e fuqive botërore dhe ia riktheu sanksionet Teheranit, i cili u hakmor duke hequr dorë një vit më vonë nga zotimet e lidhura me çështjet bërthamore.

Duke reaguar ndaj takimit me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit për programin bërthamor të Iranit, kryediplomati Araqchi tha se kjo mbledhje ishte “një proces i ri dhe i çuditshëm që e vë në pikëpyetje vullnetin e mirë të shteteve që e kanë kërkuar atë”.

Takimi u kërkua nga gjashtë prej 15 shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit – ShBA-ja, Franca, Britania, Koreja e Jugut, Greqia dhe Panamaja – shkaku i zgjerimit të rezervave të uraniumit me shkallë të pastërtisë afër nivelit të armëve nga Irani.

Irani ka mohuar se synon të zhvillojë armë bërthamore. Sidoqoftë, Teherani është duke e përshpejtuar “në mënyrë dramatike” pasurimin e uraniumit në nivel të pastërtisë deri në 60 për qind, afër shkallës prej rreth 90 për qind sa kërkohet për të prodhuar armë bërthamore, ka paralajmëruar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore.

Bisedimet mes Teheranit dhe shteteve që kanë mbetur pjesë e marrëveshjes së vitit 2015 kanë fituar momentum, përderisa programi bërthamor i Iranit mbetet çështje e rëndësishme globale.

Ministri Araqchi tha se Irani së shpejti do ta zhvillojë rundin e pestë të bisedimeve me fuqitë evropiane që përbëjnë një pjesë të marrëveshjes bërthamore – Franca, Britania e Gjermania – dhe konfirmoi një takim të premten në Pekin me anëtaret e tjera të paktit, Rusinë e Kinën./Nacionale

Lajme të ngjashme