Irani thotë se ka teknologji për të zhvilluar raketë supersonike me vetëdrejtim - NACIONALE

Irani thotë se ka teknologji për të zhvilluar raketë supersonike me vetëdrejtim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Irani tha të mërkurën se ka teknologji për të prodhuar raketë supersonike me vetëdrejtim, sipas raportimeve të mediave shtetërore. Ky njoftim ka gjasë që ta shtojë shqetësimin e Perëndimit për aftësitë raketore të shtetit aziatik.

Njoftimi erdhi disa ditë pas raportimeve për arritjen e mbi tre mijë pjesëtarëve të forcave detare amerikane me dy luftanije në Detin e Kuq për ta parandaluar konfiskimin dhe ngacmimin e anijeve tregtare nga Irani, kur ato janë duke lundruar nëpër Ngushticën e Hormuzit të Gjirit Persik, raporton agjencia “Reuters”.

“Raketa supersonike me vetëdrejtim do të hapë një kapitull të ri në programin e mbrojtjes të Iranit, sepse është tepër vështirë për të penguar një raketë balistike që fluturon me shpejtësi supersonike”- raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, “Tasnim”.

Pavarësisht nga kundërshtimi i ShBA-së dhe Evropës, Irani ka thënë se do ta zhvillojë më tutje programin e vet raketor “mbrojtës”. Megjithatë, analistët ushtarakë perëndimorë thonë se Irani nganjëherë i zmadhon aftësitë e tij raketore.

Irani, shtet që e ka njërin nga programet më të mëdha raketore në Lindje të Mesme, thotë se armët e tij mund t’i arrijnë bazat e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara në rajon.

Shqetësimi për raketat balistike të Iranit kishin ndikuar në vendimin e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, që më 2018 t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe t’ia rivendoste sanksionet këtij shteti.

Bisedimet e tërthorta mes Teheranit dhe administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore kanë ngecur nga shtatori i vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme