Irani thotë se e ka ekzekutuar udhëheqësin e një rrjeti për trafikimin e grave për prostitucion
Sistemi gjyqësor i Iranit njoftoi të shtunën se e ka ekzekutuar udhëheqësin e një rrjeti të trafikimit të grave iraniane në shtetet fqinje për prostitucion.
Në njoftimin e autoriteteve iraniane thuhet se Shahrooz Sakhnoori, i njohur edhe si Aleksi, ishte udhëheqës i një “rrjeti për përcjelljen dhe trafikimin e grave e vajzave iraniane në disa vende në rajon”, raporton agjencia “Reuters”.
Në uebfaqen e sistemit iranian të drejtësisë, “Mizan”, thuhet se Sakhnoori u ekzekutua të shtunën në mëngjes “për krimin e trafikimit të njerëzve me qëllim të prostitucionit”.
Mediet iraniane kishin raportuar në vitin 2020 se Sakhnoori ishte kapur në Malajzi në bashkërendim me Interpolin dhe ishte dërguar në Iran. Ai u dënua me vdekje në shtatorin e vitit 2021.
Para dy vjetëve, dy gra u dënuan me vdekje nën akuzat për “korrupsion në tokë” dhe trafikim të njerëzve. Megjithatë, aktivistët kanë thënë se ato gra ishin aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT dhe se ishin të pafajshme.
Administrata amerikane e ish-presidentit Donald Trump më 2017 e shtoi Iranin në listën e shteteve që akuzohen për dështim të shtypjes së trafikimit të njerëzve.
“Qeveria e Iranit nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit dhe nuk është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë”- thuhet në një raport të Departamentit të Shtetit të vitit 2019.
