Irani sulmon një qendër të përpunimit të gazit në Katar, shkakton zjarr - NACIONALE

Irani sulmon një qendër të përpunimit të gazit në Katar, shkakton zjarr

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministria e Brendshme e Katarit tha se ekipe të mbrojtjes civile po i përgjigjeshin një zjarri në qendrën kryesore të gazit në vend pas një sulmi iranian.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, kompania “QatarEnergy” tha se kishte “dëm të gjerë” pas “sulmeve me raketa” ndaj qytetit industrial Ras Laffan, raporton televizioni “Al Jazeera”.

Prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngëzuar tha se tani për tani nuk raportohet për viktima.

Njoftimi për zjarrin në këtë qendër erdhi disa orë pasi Irani kërcënoi se do t’i sulmonte qendrat e naftës dhe të gazit në rajonin e Gjirit Persik si hakmarrje për një sulm izraelit ndaj fushës së gazit Parsi Jugor.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Katarit e dënoi fuqishëm shënjestrimin “brutal” nga Irani të qytetit industrial Ras Laffan.

“Katari e konsideron këtë sulm si përshkallëzim të rrezikshëm, shkelje flagrante të sovranitetit të tij dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare të tij” – thuhet aty.

Më 2 mars, Katari e pezulloi prodhimin e gazit natyror të lëngëzuar pas një sulmi ndaj gjigantit të tij në Ras Laffan si dhe ndaj një rezervuari të ujit në një central të energjisë në qytetin industrial Mesaieed.

Lajme të ngjashme